Protestat në SHBA/ Autoriteteve u kërkohet të ndalojnë sulmet ndaj gazetarëve

schedule08:29 - 3 Qershor, 2020

schedule 08:29 - 3 Qershor, 2020

Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi autoriteteve amerikane të ndalojnë sulmet ndaj  gazetarëve dhe punonjësve të  mediave, që mbulojnë protestat në SHBA.

Që nga 29 maji, së paku 125 “shkelje të lirisë së shtypit” janë raportuar në SHBA nga gazetarët që mbulojnë protestat kundër vrasjes së George Floydit, tha Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve – organizatë me seli në New York.

Floyd, afro-amerikani, ka vdekur gjatë arrestimit nga policia, më 25 maj, në Mineapolis të Minesotës.

“Jemi të tmerruar nga veprimet e ashpra dhe nganjëherë të dhunshme të policisë kundër gazetarëve që bëjnë punën e tyre”, tha drejtori i programit të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, Carlos Martinez de la Serna.

Organizata përmendi shembullin e dy gazetarëve që u arrestuan më 29 maj derisa punonin në Las Vegas të Nevadës.

Grupi shtoi se policia ka goditur dhjetëra gazetarë të tjerë me gaz lotsjellës ose plumba gome.

Edhe përfaqësuesi i mediave pranë Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, Harlem Desir, shprehu shqetësimin e tij për “valën e dhunës” së policisë dhe demonstruesve kundër gazetarëve që mbulojnë protestat.

“Shumë nga këto incidente përfshijnë arrestime dhe përdorim të forcës nga policia dhe akte të dhunës nga protestuesit”, tha Desir.

Ai u bëri thirrje autoriteteve që të ushtrojnë përmbajtje dhe të sigurojnë se gazetarët janë të sigurt derisa raportojnë për protestat publike./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!