Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Nga Shkodra në garën për Senatin Amerikan, kush është Alma Sarelli

schedule12:20 - 27 Tetor, 2026

schedule 12:20 - 27 Tetor, 2026

Një shkodrane në garë për Senatin e Konektikatit, me një histori jete që ndërthur emigrimin, familjen, përkushtimin ndaj komunitetit dhe ambicien politike. Alma Sarelli (Shkreli), synon të përfaqësojë distriktin e 26-të në Senatin e shtetit amerikan, me mbështetjen e Partisë Republikane dhe Partisë së Pavarur të Konektikatit.

Por kandidatura e saj nuk vjen nga hiçi. Alma ka një përvojë disa vjeçare në politikën lokale, ku është rizgjedhur për të dytën herë në Këshillin Bashkiak dhe shërben si përfaqësuese e zgjedhur në Town Meeting të Westport-it. Ajo është e angazhuar në disa komitete, nga siguria publike dhe arsimi, te parqet, rekreacioni dhe planifikimi urban.

“Meet Me in the Middle” është motoja e fushatës së saj, përmes së cilës synon të afrojë qëndrime të ndryshme dhe të gjejë zgjidhje konkrete për qytetarët. Arsimi, veçanërisht mbështetja për arsimin special, ulja e kostove për familjet dhe përgjegjshmëria e pushtetit vendor janë ndër prioritetet që ajo vendos në qendër të programit të saj.



Përtej politikës, Alma është një grua që ka ndërtuar jetën në Amerikë pa u shkëputur nga rrënjët shqiptare. Nënë e katër fëmijëve, ajo tregon historinë e dashurisë me bashkëshortin me origjinë nga Ulqini, me të cilin u martua në moshën 18-vjeçare. Ndërsa rriti fëmijët, vazhdoi edhe studimet për menaxhim biznesi në Universitetin e Berkeley-t.

Sot, së bashku me bashkëshortin, drejton një kompani kombëtare të prodhimit të eventeve dhe argëtimit. Por një pjesë e rëndësishme e identitetit të saj lidhet edhe me të atin, i cili në Shqipëri drejtonte Shoqatën e Pajtimit të Gjaqeve. Prej tij, Alma thotë se ka mësuar rëndësinë e kontributit për vendin ku jeton dhe të përgjegjësisë ndaj shoqërisë.

Një tjetër histori brenda historisë së saj është ajo e mbiemrit. Nga Shkreli në Sarelli, ndryshimi erdhi në fillimet e jetës së bashkëshortit në Amerikë, për shkak të vështirësive që amerikanët kishin me shqiptimin e mbiemrit. Sot, Alma shprehet se ka ardhur koha që shqiptarët ta njohin sërish familjen me mbiemrin e saj të vërtetë.

Edhe vajza e saj, Samantha Shkreli, ka spikatur në skenën e konkurseve të bukurisë në Amerikë, duke përfaqësuar Shtetet e Bashkuara në konkursin Miss Globe. Nga rrënjët shkodrane te sfida e politikës amerikane, Alma Sarelli sjell historinë e një shqiptareje që kërkon të kthejë përvojën, vlerat familjare dhe angazhimin komunitar në një mision të ri publik./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!