Këshilli Politik për Reformën Zgjedhore do të mblidhet këtë të shtunë në orën 17:00. Bashkëkryetarja e komisionit për Reformën Zgjedhore ka reaguar pak para nisjes së mbledhjes , ku i fton të gjithë anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen, paarritur kompromis për çështjet e përcaktuara.
Në reagimin e saj Hajdari shkruan se nëse sot dhe nesër do të punojnë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Reagimi i plotë:
Duke qenë se na ndajnë vetëm 24 orë nga mbarimi i afatit që kemi vendosur për të përfunduar reformën zgjedhore dhe ende jemi larg një kompromisi, i ftoj sot publikisht anëtarët e Këshillit Politik që të mos e mbyllim mbledhjen derisa të arrijmë kompromisin për këto çështje:
Sistemin Zgjedhor;
Teknologjinë e përdorur në zgjedhje për identifikimin e votuesve;
Administrimin e zgjedhjeve dhe administratën zgjedhore;
Kolegjin Zgjedhor.
Nëse nga sot e deri nesër, punojmë pa pushim, duke patur parasysh jo interesat e ngushta të partive por interesat më të mira të shqiptarëve, ne mund t’ia dalim të prodhojmë një reformë e cila t’i rezistojë kohës dhe të prodhojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Shqiptarët, qartazi, sot duan të kenë më shumë pushtet në përzgjedhjen e deputetëve nëpërmjet listave të hapura.
Shqiptarët janë të lodhur nga historia 30 vjeçare e zgjedhjeve që vidhen, blihen apo shkatërrohen nga keqpërdorimi i administratës shtetërore apo përfshirja e krimit të organizuar.
Unë mbetem e vendosur për t’i zgjidhur këto çështje, ndaj i ftoj edhe kolegët të më bashkohen në këtë vendosmëri dhe të mos dalim nga takimi pa arritur një rezultat./abcnews.al

