Ish deputeti i PD Bardh Spahia ka reaguar në lidhje me rastet e fundit të konfirmuara pozitivë me koronavirus në vendin tonë.
Spahia përmes një postimi në rrjetin social Facebook, shkruan se rastet e infektimit me koronavirus në spital dëshmojnë se pushteti nuk kujdeset as për personelin mjekësor.
Ndër të tjera ish deputeti thotë se mjekët janë lënë në mëshirë të fatit nga kjo qeveri, e cila nuk është as në shërbim të bluzave të bardha dhe as në shërbim të qytetarëve.
Postimi i plotë:
Deshtimi i pushtetit qe nuk mendon as per personelin mjekesor
21 rastet e reja të të infektuarve me Covid-19, të publikuar sot vërtetojnë më së miri faktin se në këtë epidemi, shqiptarët u braktisën nga shteti i tyre, se pushteti punoi pa një strategji, pa një plan. Shqiptarët sakrifikuan e vazhdojnë të jenë të izoluar, ndërsa pushteti punoi dhe vazhdon të punojë me llogari të ngushta përfitimi politik e financiar.
13 rastet e reja të evidentuara në QSUT provojnë se stafi mjekësor, përtej propagandës së ERTV, është lënë në mëshirë të fatit, duke u kthyer në shtresën më të rrezikuar nga Covid dhe vektor transmetimi tek familjarët e kontaktet e tyre.
E kemi evidentuar me forcë, në mënyrë të përsëritur e që në krye të herës domosdoshmërinë e pajisjes me mjete mbrojtëse si dhe testimin e vazhdueshëm të personelit mjekësor, si mënyrë për t’i garantuar sigurinë për të përmbushur misionin e tyre, por edhe siguri për vetë pacientë, familjarë e kontakte të këtij personeli.
Njëlloj si me Call Center-at e fasonët, kjo qeveri ka vënë interesin e pushtetit para atij të qytetarëve, të cilët kanë meritën se sakrifikuan duke bërë pjesën e tyre, izolimin./abcnews.al