Personi që terrorizoi shtetin e Teksasit me dërgimin e pakove bombë është vetëvrarë gjatë një operacioni për arrestimin e tij në Austin. Shpërthimet e dërgesave të tij vranë 2 persona dhe plagosën 6 të tjerë në këtë shtet Amerikan. Arsyet e sulmeve të tij nuk dihen, por mediat shkruajnë se mund të kenë lidhje me urrejtjen racore.
Merr fund terrori në Teksas të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Autoritetet amerikane njoftojnë se personi që dërgonte pako bombë me anë të dërgesave postare është neutralizuar. Mësohet se ai është vetëvrarë me anë të shpërthimit të një eksplozivi gjatë një operacioni të gjerë të policisë, ekipeve speciale dhe FBI-së në qytetin Austin. Autori i dërgesave të pakove me bombë, pasi është larguar nga moteli ku qëndronte ka hedhur vetën në erë në makinën e tij në momentin kur i janë afruar agjentët për ta arrestuar. autoritetet raportojnë se një efektiv është plagosur gjatë shpërthimit.
Autori i sulmeve ka terrorizuar qytetin Austin në Teksas që prej 2 marsit dhe ka dërguar 5 pako me eksploziv. Nga shpërthimet 2 persona janë vrarë dhe 6 të tjerë mbetëm të plagosur. Një kamera sigurie e zyrës postare FedEx kapi imazhin e autorit, ku u bazuan dhe hetuesit e FBI në operacionin e tyre. Ai është një 24-vjeçar me ngjyrë të bardhë dhe me flokë bjond.
Policia lokale njoftoi se idenditeti i autorit nuk bëhet i ditur për arsye hetimore dhe kërkoi nga qytetarët e Austin që të tregohen të kujdesshëm pasi nuk dihet se çfarë pakosh mund të ketë dërguar ai në 24 orët e fundit. Arsyet e dërgimit të bombave ende nuk dihen, ndërsa FBI vijon me hetimet për zbardhjen e çështjes. Pavarësisht kësaj mediat amerikane aludojnë se ai është një militant i ekstremit të djathtë dhe natyra e sulmeve të tij mund të ketë lidhje me urrejtjen racore. /abcnews.al