Putin pas rizgjedhjes: Gati për dialog konstruktiv me shtetet e tjera

schedule17:59 - 19 Mars, 2018

schedule 17:59 - 19 Mars, 2018

Presidenti rus Vladimir Putin është shprehur i gatshëm të dialogojë me Perëndimin për zgjidhjen e kontesteve. Ndërkohë, pyetja që shtrohet pas fitores në zgjedhje është, a do të bëhet ai President i përjetshëm i Rusisë?

 

Një ditë pas rizgjedhjes, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se është i hapur për një dialog konstruktiv me shtetet e tjera.“Por sigurisht, kjo nuk varet vetëm nga ne. Sikurse në dashuri, të dyja palët duhet të tregojnë interes, ndryshe nuk është dashuri”, ka thënë Putin. Duke ritheksuar se nuk do të ketë garë armatimesh, shefi i Kremlinit ka premtuar se do të shkurtojë shpenzimet ushtarake. “Do të zhvillojmë shëndetësinë, arsimin, prodhimin industrial, infrastrukturën dhe sektorë të tjerë të rëndësishëm për të avancuar vendin dhe për të rritur standardet e jetesës së qytetarëve tanë”, ka thënë Putin. Putin fitoi me 76 për qind të votave një proces zgjedhor ku figurat kryesore të opozitës nuk u lejuan të merrnin pjesë. Ai u urua ngrohtësisht nga homologu kinez Xi Jinping, ndërsa liderët perëndimorë u treguan më të moderuar në reagimin e tyre. Presidenti francez Emmanuel Macron në një bisedë telefonike i uroi atij sukses në modernizimin e demokracisë, ekonomisë dhe jetës sociale të Rusisë. Por gjithashtu ai i kërkoi Putinit që autoritetet ruse të ndihmojnë për të hedhur dritë mbi ngjarjet në Salisburi të Anglisë, ku u helmua ish-spiuni rus Sergei Skripal dhe e bija. Putin e ka qeverisur Rusinë si president dhe si kryeministër që prej vitit 1999. Sipas kushtetutës, ai duhet të tërhiqet në vitin 2024, por me pushtetin që ka mund t’i heqë limitet kohore. Pas fitores, i pyetur nga një gazetar nëse do të qëndronte në pushtet deri në 2030-n, ai u përgjigj me një të qeshur. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!