PDK reagon kundër “provave” për protestë të VV, e konsideron presion ndaj Kushtetueses

schedule13:03 - 13 Maj, 2020

schedule 13:03 - 13 Maj, 2020

Partia Demokratike e Kadri Veselit ka reaguar një ditë pasi Lëvizja vetëvendosje bëri prova në sheshin kryesor të Prishtinës për mbajtjen e protestave, për atë që ajo e quan ruajtje e demokracisë. Partia Demokratike reagoi pas paralajmërimeve se Lëvizja Vetëvendosje mund të organizojë një protestë gjatë periudhës së pandemisë.

Aktivistët e Vetëvendosjes shkruanin në rrjetet sociale se kishin realizuar me sukses provën e parë të protestës me 500 pjesëmarrës duke zbatuar masat e shëndetit personal.

Ata shkruanin gjithashtu se u dëshmua se dicka e tillë është lehtësisht e mundshme kur bëhet fjalë për nevojën për ruajtjen e shëndetit të demokracisë.

Partia Demokratike tha në reagimin e saj se është e papranueshme që të tolerohet një aktivitet i tillë masiv publik në një kohë kur qindra mijëra qytetarë të Kosovës nuk mund të qarkullojnë lirshëm, nuk mund të shkojnë në punë, nuk mund të mblidhen për iftar me të afërmit e tyre apo të kryejnë rituale të tjera fetare, si dhe të zhvillojnë lirshëm aktivitete kolektive familjare e sociale.

PDK tha se e konsideron këtë organizim politik të Lëvizjes Vetëvendosje, si përpjekjen e radhës për t’i bërë presion Gjykatës Kushtetuese lidhur me çështjen delikate që është duke trajtuar.

PDK tha gjithashtu se ky është një akti i ulët kundër sundimit të ligjit e rendit kushtetues në këtë vend dhe me qëllime për skenar dhune. Partia e drejtuar nga Kadri Veseli tha se një organizim i tillë rrezikon jo vetëm të pranishmit por edhe kontaktet tjera sociale të tyre./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!