Erik Ten Hag është ndalur te Leo Messi në një prononcim për mediat holandeze. Trajneri i Ajax, i cili ishte fare pak sekonda larg dërgimit të “Harkëtarëve” në finalen e Champions League sezonin e kaluar, komenton ecurinë e yllit argjentinas për Voetbal International.
Koha kalon, Leo Messi do të festojë 33-vjetorin e lindjes në datë 24 qershor dhe nuk është më futbollisti i ditëve të arta, pavarësisht se mbetet më i miri në planet. Ten Hag e lidh këtë ndryshim me Pep Guardiolën, trajnerin që drejtoi Barcelonën në vitet 2008-2012, kohë gjatë së cilës dominoi gjithçka me djemtë e tij dhe fitoi 14 trofe.
“Leo Messi nuk ka qenë kurrë aq i fortë sa në kohën që trajner i Barcelonës ishte Pep Guardiola. Ai është gjithmonë në majë dhe në formë, por herë pas here e ul standartin e tij. Nuk është rastësi që nuk ka fituar shumë në Evropë në vitet e fundit. Kjo nuk ndodhte me Guardiolën në stol”, deklaron Ten Hag. /abcnews.al