Turizmi në vend është ndodhet në një udhëkryq të vështirë për shkak të situatës ekonomike të krijuar nga pandemia e koronavirusit.
Në një draft paraprak të Ministrisë së Turizmit të zbardhur nga Abcnews.al pak ditë më parë thuhet se turizmi do të funksionojë në masa të rrepta të higjienës dhe distancimit social.
LEXO EDHE: Si do bëjmë plazh?! Çadrat në distancë, rregullat e rrepta për ashensorët, parkimin e kafenetë
Ndaj një nga motorët kryesorë të këtij sektori këtë vit duket se do të mbetet klientela vendase. Në kuadër të kësaj nevoje, faqja Vip Magazine në instagram ka ndërmarrë një nismë mjaft të veçantë.
Me anë të një njoftimi ajo i bën thirrje të gjithëve që të ndajnë foto nga pushimet në Shqipëri, pasi “Shqipëria nuk do filtra”.
“Teksa vera po afron, disa prej jush kanë nisur të planifikojnë edhe pushimet, duke pasur parasysh edhe rregullat e distancimit social. Vip Magazine nis nga sot një fushatë promovuese për destinacionet turistike në vendin tonë.
Nëse doni të bëheni pjesë e kësaj fushate na dërgoni foto në vendet më të bukura të Shqipërisë. Ne do t’i postojmë të gjitha, pasi siç e thotë edhe motoja e kësaj fushate, Shqipëria nuk ka nevojë për filtra! Hashtag në foto do të jenë #pushoneshqiperi dhe #shqiperianukdofiltra”, thuhet në postim.
Nisma duket se nënkupton se vendi ynë ka destinacione mjaft të bukura që nuk kanë nevojë për filtra që të ekspozohen. Pjesë e nismës janë bërë edhe figura të njohura të ekranit si Marin Mema, Rudina Xhunga apo Florian Agalliu. /abcnews.al


