Mjekja nutricioniste Xhensila Prendushi mnë një intervistë për Abc Neës është shprehur që për të pasur një imunitet sa më të shëndetshëm duhet të kemi një kujdes të shtuar ndaj ushqyerjes.
Nutricionistja ka theksuar se në këtë kohë izolimi është e rëndësishme që të mos ushqehemi pa masë pasi rrezikohemi nga obezitetit. Gjithashtu ajo ka theksuar se është e rëndësishme që të konsumohen rregullisht 3 vaktet kryesore të ngrënies.
“Dita duhet të ndahet në 5 vakte, mes të cilëve janë tre vakte kryesore mëngjesi, dreka dhe darka dhe asnjë nga këto tre vakte nuk duhet të anashkalohet. Ne bashkëjetojmë me miliona baktere që mund të jenë një mbështetje për organizmin tonë ose mund të kthehen në baktere të rrezikshme për organizmin tonë për shkak të imunitetit të dobët. Nuk duhet të harrojmë konsumimin e mëngjesit, është një fillim i mirë për ditën”, ka thënë mjekja.
Mjekja ndër të tjera është shprehur se nuk është e rëndësishme që të përdoret medikamente për të marrë vitaminën C, pasi përmes produkteve ushqimore ne marrim vitaminën që na duhet për sistemin tonë imunitar.
“Ajo që unë këshilloj për prindërit dhe të rriturit që kanë në dorë edukimin dhe rritjen e fëmijëve të tyre është që të përdorin sa më shumë produkte që kanë përmbajtje të vitaminës C që janë dy kokrra kivi, ose mund të shtrydhni dy portokalle dhe një limon. Në mënyrën se si ne ushqehemi krijojmë imunitetin e trupi tonë. Ushqimi nuk përkthehet vetëm në kalori por ai na ndërton ne, në mënyrën se si ushqehemi ne ndërtojmë veten çdo ditë”, është shprehur mjekja./abncews.al