Si t’i motivoni fëmijët gjatë pandemisë?

schedule15:50 - 29 Prill, 2020

schedule 15:50 - 29 Prill, 2020

Prindërit gjithmonë kanë ndihmuar në detyrat e shtëpisë dhe janë siguruar që fëmijët e tyre të përmbushin përgjegjësitë si punët, por koha e zgjatur dhe shpesh e parregulluar që familjet po kalojnë së bashku gjatë krizës aktuale krijon sfida të reja.

Pas një katastrofe, si një uragan apo zjarr, krijimi i strukturës është e rëndësishme për të mbajtur qëndrueshmëri dhe për të mbajtur një sens kontrolli si për prindërit ashtu edhe për fëmijët. Kjo përfshin krijimin e një programi komunikimi dhe udhëzime të qarta për gjëra të tilla si koha para ekranit, shkruan CNN.

Por, si ja bëjnë prindërit që fëmijët të ndjekin orarin dhe të përmbushin përgjegjësitë pa u bezdisur? Wendy Grolnick, një psikologe dhe eksperte e prindërve, ka studiuar se si prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët të bëhen më të motivuar dhe të ulin konfliktin në familje. Në këtë pjesë ajo ndan disa strategji për ta bërë shtëpinë të funksionojë më mirë gjatë krizës së koronavirusit.

1.Përfshini fëmijët në caktimin e orareve.

Kur fëmijët marrin pjesë në krijimin e udhëzimeve dhe orareve, ka më shumë të ngjarë të besojnë se udhëzimet janë të rëndësishme, t’i pranojnë dhe t’i ndjekin ato.

Për të përfshirë fëmijë, prindërit mund të krijojnë një mbledhje familjare. Në takim, ata mund të diskutojnë mbi orarin dhe të pyesin fëmijët për kontributin e tyre në vendime të ndryshme. Kjo i ndihmon ata të zotërojnë sjelljen e tyre dhe të jenë më të angazhuar në atë që bëjnë.

Mund të ketë dallime në mendime. Prindërit mund të negociojnë me fëmijët në mënyrë që të paktën disa nga idetë e tyre të aprovohen.

2.Lejoni fëmijët të bëjnë një zgjedhje.

Punët në shtëpi dhe mësimet në shkollë janë angazhim për fëmijët. Prindërit mund të paraqesin disa punë shtëpise dhe fëmijët mund të zgjedhin cilat preferojnë. Gjithashtu mund të zgjedhin kur ose si i plotësojnë ato. A dëshirojnë të lajnë enët para ose pas shfaqjes televizive të preferuar?

3.Dëgjojini.

Fëmijët do të jenë më të hapur për të dëgjuar se çfarë duhet të bëjnë nëse mendojnë se këndvështrimet e tyre kuptohen. Prindërit mund t’i lënë fëmijët të dinë që ata e kuptojnë, për shembull, se nuk është kënaqësi të jesh në shtëpi dhe se u mungon të qenurit me miqtë e tyre.

Prindërit mund të fillojnë kërkesat me një deklaratë empatike. Për shembull, “Unë e di se duket sikur të vishesh është pa kuptim sepse jemi në shtëpi. Por të vishesh është pjesë e rutinës që ne kemi vendosur të gjithë”.

4.Jepuni arsye për rregullat.

Kur prindërit japin arsye pse kërkojnë diçka, fëmijët mund ta kuptojnë më mirë rëndësinë e të vepruarit në mënyra të veçanta. Arsyet do të jenë më efektive kur ato kanë kuptim për fëmijët në lidhje me qëllimet e vetë fëmijëve. Për shembull, një prind mund të thotë që ndarja e detyrave të familjes do t’i ndihmojë të gjithë të kenë më shumë kohë për aktivitete argëtuese pas darkës.

5.Zgjidhini problemet së bashku.

Jo gjithçka do të shkojë sipas planit – do të ketë kohë zhgënjimi, bezdisjeje dhe të bërtitura. Kur gjërat nuk po funksionojnë, prindërit mund të përpiqen të përfshihen në zgjidhjen e përbashkët të problemeve me fëmijët, që do të thotë të përdorni empati, të identifikoni çështjen dhe të gjeni mënyra për ta zgjidhur atë.

Studimet kërkimore tregojnë se prindërit kanë më shumë të ngjarë të bërtasin, kërkojnë dhe kërcënojnë kur koha është e kufizuar, ata janë të stresuar ose ndjehen të shqetësuar për mënyrën sesi po performojnë fëmijët e tyre.

Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme që prindërit të gjejnë kohë për veten, qoftë kjo duke bërë një shëtitje, duke u stërvitur, medituar ose shkruar në një ditar.

Një pandemi ose një fatkeqësi tjetër paraqet sfida për prindërit, por përdorimi i strategjive motivuese mund t’i ndihmojë të sigurojnë një mjedis më të qetë dhe më efektiv që lehtëson marrëdhënien pozitive prind-fëmijë./abcnews.al