Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj ishte në Korçë, ku zhvilloi një takim me fermerë në Maliq, për të diskutuar mbi skemën e pensioneve në fshat.
Në fshat, akoma skema e pensionit dhe kontributi vullnetar, që duhet secili fermer të paguajë për moshën e tij të tretë është larg asaj që duhet të jetë. Këtë e pranon vetë Ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj. Por ai premton edhe zgjidhjen që do të vijë nëpërmjet një një fushate sensibilizuese, ndërgjegjësuese në të gjithë territorin e Shqipërisë.
Arben Ahmetaj: “Dhe mos harroni, që kur ju paguani 34.800 lekë të reja në vit, shteti subvencionon, pra bashkë-investon në pensionin tuaj më shumë se gjysmën, në mënyrë që të kapë nivelin e rreth 66 mijë lekë kontribut në vit për ta përputhur atë që ju do të merrni si fermerë, kur të dilni në pension, që të jetë gati e përafruar me atë që marrin në zonat urbane”.
Sipas ministrit Ahmetaj, përfshirja në skemën e kontributeve është gjithashtu e rëndësishme për fermerët, në kuadër të përfitimit të fondeve nga skemat e mbështetjes në bujqësi.
Arben Ahmetaj: “Por, ka një kusht dhe kushti është që ti të jesh i financueshëm, i mbështetur nga këto skema të bujqësisë, do të duhet patjetër të kesh qenë pjesë e formalizuar e kontributit”.
Një nga skemat e mbështetjes, që fillon shumë shpejt, është skema e Bashkimit Europian, e cila u bë e mundur dhe aktive në dhjetor të vitit të kaluar. Sipas kreut të financave në Prill-Maj do të fillojë dhe procedura e lëvrimit të mbështetjes.
Arben Ahmetaj: “Nuk janë pak para për bujqësinë, të kombinuara shkojnë në 93 milionë euro. Ato janë për ju, për fermerët, për aktivitete në bujqësi, për aktivitetet në agroindustri. Edhe këtu skemat janë të lidhura, që të përfitosh dhe duhet të përfitosh, duhet të kesh kontribuar në skemën e sigurimeve me disa vite të fundit, por në finale, për veten tënde”.
Ky është elementi i parë shumë i rëndësishëm sipas ministrit Ahmetaj, duke i rikujtuar edhe pjesëmarrjen në skemën e kontributit, e cila është tërësisht në favorin e fermerëve tha ai, duke bërë të mundur, që të përfitojnë nga skemat
e mbështetjes në bujqësi, qoftë nga buxheti i shtetit, qoftë nga Komisioni Europian./abcnews.al