Sondazh

Dështimi i protestës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

U rrit në Itali, por zgjodhi të mbajë gjallë lahutën e fyellin shqiptar. 17-vjeçari që luan në 7 instrumente

schedule12:42 - 2 Nëntor, 2026

schedule 12:42 - 2 Nëntor, 2026

Vetëm 17 vjeç, por me një pasion që kapërcen kufijtë dhe brezat. Marsel Meta ka lindur dhe është rritur në Itali, por zemrën dhe shpirtin i ka të lidhur fort me Shqipërinë dhe trashëgiminë e saj muzikore. Rrugëtimi i tij nisi në moshën 8-vjeçare, kur në shkollë iu kërkua të zgjidhte një instrument muzikor. Zgjodhi klarinetën dhe që atëherë muzika u bë pjesë e pandashme e jetës së tij.
Sot Marseli luan në shtatë instrumente: klarinetë, fyell, çifteli, lahutë, ndërsa studion edhe piano dhe saksofon. Në liceun muzikor në Itali është pjesë e orkestrës së shkollës dhe performon në teatro e aktivitete të ndryshme në Bari.

Por mes gjithë instrumenteve, është lahuta ajo që zë një vend të veçantë në zemrën e tij. Një instrument që për publikun italian është shpesh i panjohur, por që Marseli dëshiron ta bëjë të njohur përtej kufijve. Ai e konsideron lahutën jo thjesht një vegël muzikore, por një pjesë të identitetit shqiptar, që duhet ruajtur dhe përcjellë te brezat e rinj. I shqetësuar se kjo traditë mund të humbasë, 17-vjeçari ka vendosur ta bëjë pjesë të misionit të tij artistik.

Mbështetja nga profesionistë të muzikës tradicionale dhe bashkëpunimi me Ansamblin e Mirditës i japin një tjetër shtysë këtij rrugëtimi. Së shpejti do të kontribuojë edhe në realizimin e një kënge, ku do të interpretojë me bilbil, çifteli dhe lahutë. Ëndrra e Marselit është të bëhet një artist i madh, të zhvillohet edhe në muzikën klasike dhe ta çojë tingullin e instrumenteve shqiptare në skena sa më të mëdha. I lindur në Itali, por me rrënjë në Shqipëri, Marsel Meta dëshiron të dëshmojë se largësia nuk e zbeh identitetin dhe se tradita mund të jetojë përmes talentit të brezave të rinj.



Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!