Rrëfimi tronditës i 18-vjeçares shqiptare që la pas një të kaluar të vështirë dhe nisi nga e para. Nga një adoleshente e përfshirë në një grup të dhunshëm, te vajza që sot buzëqesh me kurorën e Miss Fotozhenisë së Toskanës. Historia e Elisa Vardonit është një rrëfim për gabimet, pendesën dhe guximin për të nisur nga e para.
E lindur në Siena nga prindër shqiptarë, Arnisa dhe Aldo, Elisa nuk e kishte menduar se një lojë mes shoqesh do ta çonte në garën rajonale të Miss Italia. Ishin pikërisht shoqet që e bindën të provonte, duke i thënë se ishte shumë e bukur. Por pas këtij suksesi fshihet një e kaluar që ajo nuk ka frikë ta tregojë. Në moshën 13-vjeçare, Elisa u bë pjesë e një grupi adoleshentësh që e shtynin të bullizonte dhe të dhunonte vajza të tjera të moshës së saj.
E manipuluar dhe në kërkim të pranimit nga të tjerët, ajo kreu sulme që filmoheshin me celularë. Sot pranon se ka rrahur tri vajza dhe se për një kohë të gjatë nuk dinte si të largohej nga ai rreth.
Gjithçka nisi në shkollën e mesme, ku ndihej e përjashtuar për shkak të origjinës shqiptare. Për të fituar pranimin e një grupi më të rriturish, pranoi të bënte gjëra kundër vullnetit të saj. Por ajo që nisi si nevojë për t’u përkitur, përfundoi në një histori dhune, frike dhe pendese. Ndërhyrja e policisë dhe përballja me prindërit u bënë momenti kur kuptoi seriozitetin e asaj që kishte bërë. Familja nuk e braktisi, ndërsa ndihma e psikologëve dhe një program rehabilitimi e ndihmuan të përballej me të kaluarën.
Elisa kërkoi falje ndaj vajzave që kishte lënduar dhe kreu punë në shërbim të komunitetit. Ndihmoi të moshuarit, fëmijët me sindromën Down dhe njerëzit që kishin vështirësi në lëvizje.
Sot studion në Institutin Teknik “Sallustio Bandini”, luan futboll në ekipin e vajzave të Sienës dhe ka fituar titullin Miss Fotozhenia e Toskanës. Për të, Miss Italia nuk është thjesht një konkurs bukurie, por një mundësi për të treguar se një njeri nuk duhet të mbetet peng i gabimeve të së shkuarës. Ajo dëshiron të vazhdojë vullnetarizmin dhe ëndërron të hyjë në akademinë ushtarake për t’u bërë parashutiste, duke ndjekur gjurmët e gjyshit nga babai dhe traditën ushtarake të familjes.
“U kërkoj falje të gjitha vajzave që kam rrahur”, është mesazhi i saj më i fortë. Elisa nuk e fsheh të kaluarën dhe as nuk kërkon ta justifikojë. Përkundrazi, zgjedh ta tregojë si një paralajmërim për të rinjtë mbi rrezikun e presionit të grupit, dhunës dhe nevojës për t’u pranuar nga të tjerët. Kurora e Miss-it është një fitore, por për Elisën, fitorja më e madhe është të ketë gjetur forcën të dalë nga hija e së shkuarës dhe të ecë sërish me kokën lart./abcnews.al


