Një letër e nisur për qëllime studimore u kthye në historinë më të pazakontë të jetës së saj. Tiana Krasniqi, 31-vjeçarja shqiptare që jeton në Londër, u dashurua me një burrë që ndodhej në burgun e Teksasit dhe priste ekzekutimin. Në tetor të vitit 2024, gjatë kërkimeve për masterin në të drejtat ndërkombëtare të njeriut, Tiana i shkroi një letër James Broadnax. Studionte pabarazitë racore në sistemin amerikan të drejtësisë dhe nuk e njihte personin që kishte përzgjedhur t’i shkruante.
Por James iu përgjigj. Pas letrave nisën telefonatat e shkurtra, komunikimet elektronike dhe një lidhje që u bë gjithnjë e më intensive. Pa u takuar kurrë fizikisht, pa një përqafim dhe pa mundësinë për të prekur njëri-tjetrin, ata vendosën se donin të kalonin jetën bashkë. Tiana la Londrën dhe u shpërngul në Hjuston të Teksasit. Për shumëkënd ishte një vendim i pakuptueshëm. Familjarët, miqtë dhe njerëzit përreth e këshillonin të hiqte dorë. Por ajo këmbëngulte se nuk ishte keqardhje për një të dënuar me vdekje, por dashuri.
Madje, vendosi të martohej me të përpara datës së ekzekutimit. Ceremonia u zhvillua brenda njësisë së burgut Allan B. Polunsky. Zgjati vetëm 45 minuta. Një xham i trashë i ndante bashkëshortët, një oficer qëndronte pranë tyre dhe unazat nuk mundën t’i shkëmbenin. Ata thanë «Po», firmosën dokumentet dhe për pak minuta Tiana u bë zonja Broadnax. Një martesë pa prekje, pa puthje dhe pa përqafim, por me një premtim që të dy besonin se do ta mbanin deri në fund.
Megjithatë, kjo histori ka edhe një anë tjetër, ndoshta më të dhimbshmen. Tiana është nënë e një vajze nëntëvjeçare, e cila jeton në Britani me të atin. Ajo e pranon se largimi nga e bija është vendimi më i vështirë që ka marrë dhe se e di që ky realitet mund ta lëndojë. Ndërkohë, ajo u përfshi në fushatën kundër ekzekutimit të bashkëshortit, duke ngritur dyshime për drejtësinë e procesit gjyqësor dhe duke iu referuar pretendimeve për paragjykime racore. Sipas saj, edhe një i afërm i James kishte shprehur dyshime për përgjegjësinë në ngjarjen për të cilën ai ishte dënuar.
Por beteja e saj përfundoi pa sukses. Vetëm pak ditë pas martesës, më 30 prill, James Broadnax u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës në Teksas. Tiana ishte e pranishme në dhomën e dëshmitarëve dhe pa momentet e fundit të bashkëshortit.Ajo pretendon se ekzekutimi nuk ishte aspak pa vuajtje, siç përshkruhet zakonisht. Sipas dëshmisë së saj, James pati reagime të rënda fizike, ndërsa ajo bërtiti në shenjë proteste ndaj asaj që po shihte.
Sot, Tiana Krasniqi e rrëfen historinë e saj nga Londra, mes dhimbjes, polemikave dhe pyetjeve që vazhdojnë ta shoqërojnë. A pendohet për zgjedhjen që bëri? A do të ndryshonte diçka po të kthehej pas në kohë? Dhe ku përfundon dashuria e pakushtëzuar e ku nis bindja se njeriu që do meriton një mundësi tjetër? «Nuk po mbroj një vrasës, po kërkoj drejtësi», këmbëngul ajo. Një histori që sfidon perceptimet mbi dashurinë, fajin, dënimin me vdekje dhe kufirin mes bindjes personale dhe drejtësisë./abcnews.al


