Goditja e Juventusit në sulm po sillet rreth dy emrave: Arkadiusz Milik dhe Mauro Icardi. Polaku është i preferuari i trajnerit Sarri dhe bardhezinjtë e kanë më të lehtë për të mbërritur tek ai. Napoli dëshiron ta shesë, pasi nuk mund ta humbasë me parametra zero verën e ardhshme.
Blerja e Icardit është më e komplikuar, por pëlqehet shumë nga drejtuesit. Fabio Paratici negocion prej kohësh me Wanda Narën, gruan dhe agjenten e sulmuesit argjentinas, madje flitet se mes tyre ka një akord paraprak. Ish-kapiteni i Interit insiston të kthehet në Itali dhe Juventusin e ka zgjedhje të parë.
Corriere dello Sport raporton se drejtori sportiv i Juventusit ka nisur bisedimet me Leonardon, homologun e PSG-së. Icardi ka një klauzolë shitje prej 70 milion eurosh, por ajo shkon në 85 milion nëse francezët vendosin ta shesin në një klub të Serie A.
Paratici po shtyn PSG-në ta blejë 27-vjeçarin për ta kaluar më pas në Torino në një operacion që përfshin para dhe ndonjë lojtar. Drejtuesi i “Zonjës” do i japë mundësinë brazilianit të zgjedhë mes katër lojtarëve: Miralem Pjanic (një ndër të preferuarit e Leonardos), Douglas Costa, Alex Sandro dhe De Sciglio. /abcnews.al