Veliaj në 8 mars: Hapet “shtegu i nënave” në parkun e Liqenit

schedule14:20 - 8 Mars, 2018

schedule 14:20 - 8 Mars, 2018

Një hapësirë e re e gjelbër  i shtohet Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. 500 pemë u mbollën në Shtegun e Nënave me rastin e ditës ndërkombëtare të gruas.

Mesazhin për ditën ndërkombëtare të grave ia drejtoi burrave.

“Sot apeli më i madh është për ne burrat dhe djemtë, që të tregohemi më zotërinj me to, të kuptojmë që pjesën më të madhe të sakrificës, por edhe të mundit, nga mbajtja e shtëpisë e deri te punët e qytetit, e marrin nënat dhe vajzat. Më vjen mirë që me një gjest të vogël simbolik transporti publik për to ishte falas sot. Është një gjest i vogël mirënjohjeje për sakrificën dhe kontributin që gratë dhe vajzat japin për suksesin e qytetit të Tiranës”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës së bashku me anëtaret femra të Këshillit Bashkiak, drejtueset e njësive administrative, si dhe shumë prej drejtueseve të organizatave të shoqërisë civile që operojnë në qytetin e Tiranës, mbolli 500 pemë në një hapesirë të re të Parkut të Liqenit, e cila do të quhet “Shtegu i Nënave”.

“Jam shumë i lumtur që bashkë me zonjat fantastike të Këshillit Bashkiak, zonjat tona administratore dhe shumë zonja aktiviste në qytetin e Tiranës, mbollëm pemë në këtë shteg, që për shumë njerëz është akoma sekret. Bëhet fjalë për një kantier që kemi hapur në pjesën jugore të Liqenit dhe një territor që u lirua nga ndërtimet pa leje, nga ferrat, nga gjithë zaptimet që ka pasur dhe sot me të drejtë, do të jetë Shtegu i Nënave dhe i zonjave të qytetit të Tiranës”, u shpreh Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës deklaroi se Tirana është në krye të emancipimit dhe të përfaqësimit në jetën publike sa i takon femrës.

“Ca gjëra janë më mirë se ç’kanë qenë kur flasim për barazi gjinore, megjithatë kemi ende disa gjëra që duhen rregulluar. Ende duhet të luftojmë për paga të barabarta për të njëjtën punë, si për burrat, si për gratë. Ende duhet të luftojmë për më shumë pjesëmarrje. Fakti që Tirana është një histori suksesi nuk do të thotë që e gjithë Shqipëria dhe të gjitha bashkitë aplikojnë të njëjtat kuota dhe të njëjtin angazhim. Ndaj, më vjen mirë që sot si Tiranë jemi të parët në emancipim, por unë prapë besoj që më e mira është përpara”.

Teksa i falenderoi për sakrificën dhe kontributin e dhënë për qytetin, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Tirana, jo vetëm që  ka një shumicë të zonjave në Këshillin Bashkiak, por 70 % e menaxhimit të qytetit realizohet nga gratë dhe vajzat.

Gjithashtu, këtë 8 mars, nismës së Bashkisë së Tiranës për të mbjellë pemë iu bashkuan edhe një grup i nënave me fëmijë autikë  të cilat në afërsi të Amfiteatrit mbollën pemë në emër të sakrificës së tyre si nëna./abcnews,al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!