Një zjarr ka përfshirë një zonë me barishte dhe shkurre në fshatin Lazarat, duke rrezikuar banesat përreth.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje u nis grupi i shërbimit me një automjet zjarrfikës dhe grupin e ndërhyrjes.
Me mbërritjen në vendngjarje, forcat zjarrfikëse konstatuan një zjarr me përmasa të konsiderueshme, i cili rrezikonte të përhapej në drejtim të banesave.
Zjarrfikësit ndërhynë menjëherë për izolimin e flakëve, duke bërë të mundur ndalimin e përhapjes së zjarrit drejt banesave.
Aktualisht, zjarri është nën kontroll, ndërsa forcat zjarrfikëse po vijojnë punën për shuarjen e plotë të tij dhe eliminimin e çdo vatre të mbetur.

