Rama në AIPAC: Fluturim direkt nga Izraeli në Shqipëri

schedule17:03 - 4 Mars, 2018

schedule 17:03 - 4 Mars, 2018

Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë në konferencën e Komitetit Izraelito-Amerikane të Çështjeve Publike, ku ka folur për marrëdhënien mes dy vendeve dhe ka thënë se këtë verë nis fluturimi direkt nga Izraeli në Shqipëri.

Shqipëria dhe Izraeli do të lidhen për herë të parë këtë verë me një udhëtim të drejtpërdrejtë me avion. Këtë e tha kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij në forumin që organizohet nga komiteti izraelito-amerikan në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Edi Rama: “Dëshiroj fort të theksoj që ajo që njëherë përkufizohej si toka e dytë e hebrenjve, të bëhet shtëpia juaj e dytë e pushimeve. Kështu që jeni mjaft të mirëpritur në Shqipëri”.

Shqipëria është në vend të parë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm tha kreu i qeverisë.

Edi Rama: “Ne gjithashtu kemi ndërtuar në Tiranë qendrën për ekstremizmin e dhunshëm dhe Benjamin Netanyahu na ka premtuar që Izraeli do të jetë një nga partnerët kryesorë që ta shndërrojmë këtë qendër në një pikë referimi në të gjithë rajonin”.

Ndihma që shqiptarët kanë dhënë për hebrenjtë është e madhe dhe këtë e tregojnë shembuj të shumtë tha kreu i qeverisë.

Edi Rama: “Ku një prej nazistëve më të lartë në 1943 thirri katër përfaqësues të katër komuniteteve tona fetare u kërkoi që t’u jepnin listën e hebrenjve që kishin. Ata i dhanë listën e floririt, por jo listën e hebrenjve”.

Konferenca e përvitshme e lobit hebre në Amerikë cilësohet si një ndër takimet më të rëndësishme për politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!