Detaje për kartelin e drogës që nisi kokainën nga Kolumbia në Shqipëri

schedule12:35 - 2 Mars, 2018

schedule 12:35 - 2 Mars, 2018

Mediat meksikane kanë publikuar detaje rreth operacionit të së enjtes ku u sekuestruan 613 kilogramë kokainë në portin e Durrësit, si dhe për klanin e narkotrafikut i cili kishte nisur ngarkesën nga Kolumbia.

Portali meksikan online “Sipse” ka publikuar detaje për kartelin e drogës që nisi ngarkesën me 613 kilogramë kokainë nga Kolumbia në Shqipëri. Duke raportuar sekuestrimin e sasisë së drogës në Portin e Durrësit, “Sipse” shkruan se operacioni I policisë ishte i koordinuar me Armatën Kombëtare të Kolumbisë, agjenci ndërkombëtare dhe policinë shqiptare. Në shkrim ndër të tjera theksohet se ngarkesa me drogë ka kaluar në disa porte europiane para se të mbërrinte në portin shqiptar ku dhe u zbulua. Informacionet e dhëna nga agjencitë e ndryshme ndërkombëtare i mundësuan policisë shqiptare që të kryente aksionin.

Kokaina e sekuestruar i përket një strukture të narkotrafikut e cila është e lidhur me “Klanin e Gjirit”, që ka lidhje me porte të ndryshme në Europë në vendet ku dërgojën drogën. Falë këtij sekuestrimi u evitua që më shumë se 37 milionë dollarë, vlera e drogës në tregun e zi ndërkombëtar, të shkonin në arkat e këtij grupi të paligjshëm.

Nga operacioni u arrestuan dy persona: shoferi i kamionit dhe një punonjës i kompanisë. Ndërkohë policia shqiptare shpalli në kërkim pronarin e kompanisë dhe ka hapur një hetim me homologët në Europë për të identifikuar e arrestuar persona të tjerë në lidhje me ngjarjen.

“El Clan del Golfo”, i quajtur më parë “Los Urabeños” ose “Clan Úsuga”, është një grup kolumbian i trafikimit të drogës i cili është përfshirë në konfliktin e armatosur kolumbian. Ai konsiderohet si grupi më i fuqishëm neo-paramilitar në Kolumbi me rreth 3.000 anëtarë në rrethin e brendshëm të organizatës. Burimi kryesor i të ardhurave te tyre është trafiku i drogës./abcnews.al