Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu përmes një postimi në rrjetin social “Facebook” ka njoftuar se Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka dhënë gjysmën e pagës në kuadër të situatës së pazakontë shkaktuar nga COVID-19.
Kryeziu bën me dije se gjithsej janë 684.34 euro që Kurti do t’i dhurojë nga paga e tij.
“Në kohën kur sfida është e përbashkët ashtu sikurse edhe qëllimi, solidariteti ndaj njëri-tjetrit nuk është vetëm nevojë, por edhe detyrim. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti sot ka dhuruar 50% të pagës së tij, përkatësisht 684.83 EUR, për menaxhimin e COVID-19.
Ndërkohë, diaspora po vazhdon t’i përgjigjet thirrjes për mbështetje financiare. Deri më tani, ndihma e tyre ka kaluar vlerën monetare prej 300.000 EUR. Diasporës i garantojmë transparencë dhe llogaridhënie në shfrytëzimin e mjeteve të dhuruara, dhe u jemi falënderues gjithmonë dhe gjithnjë. Qeveria Kurti është e përkushtuar që të fuqizojë rolin e mërgatës në vend, dhe për këtë jemi zotuar në programin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, shkruan zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu.