Superiorja është ndalur dhe nuk dihet ende se kur do të rinisë. Deri më tani janë zhvilluar 26 javë kampionat dhe kanë spikatur disa futbollistë. Një prej tyre është edhe sulmuesi Kyrian Nwabueze, autor i 17 golave. Nigeriani me pasaportë amerikane kryeson listën e golashënuesve dhe ka një kontribut të madh në pozicionimin e Laçit në vendin e tretë.
Kurbinasit, këtë sezon kanë treshen e sulmit më produktive. Nwabueze, së bashku me Redon Xhixhën dhe brazilianin Teco numërojnë 30 gola të realizuar, më shumë se çdo treshe tjetër në Superiore. Madje braziliani këtë vit nuk ka luajtur, për shkak dëmtimi dhe vendin e tij e ka mbuluar Greca.
Shumëkush ka pritur që të jetë më lart ajo e Kukësit, por realiteti është tjetër. Ai që ka çaluar ka qenë Enis Gavazaj, i cili ka shënuar vetëm një gol. Vasil Shkurtaj është lideri, me 16 rrjeta të tundura, ndërkohë që edhe Kristal Abazaj është paraqitur mirë dhe ka shënuar 6 gola. Pika më e fortë e tij kanë qenë shërbimet për shokët e skuadrës.
Treshja e zakonshme e Kukësit, nga llogaritë shikohet qartë që ka shënuar23 gola. Gjithsesi kanë ndihmuar edhe Eduart Rroca dhe Valon Ethemi, autorë të katër golave secili. Te Tirana është një trend tjetër, pasi shënojnë lojtarët e qendrës. Michael Ngoo është ai që ka realizuar më shumë për skuadrën kryesuese, nga sulmuesit.
Anglezi ka gjetur rrugën e rrjetës 8 herë, po aq sa edhe Idriz Batha, i cili është edhe realizuesi i penalltive për Tiranën. Edon Hasani vazhdon të shënojë, sikurse edhe vjet. Shkodrani, edhe pse kohët e fundit ka luajtur pak, numëron 6 gola, duke e çuar shifrën e treshes bardheblu, në 22 rrjeta të tundura. /abcnews.al