Pandemia e Covid-19 ka vështirësuar jetesën edhe më tepër të qytetarëve që u prekën nga tërmeti i 26 nëntorit të vitit të shkuar.
Tërmeti u rrëzoi shtëpitë dhe i la në qiell të hapur ndërsa “Pandemia” duket se po i lë edhe pa ngrënë.
Cadrat e shpërndara në emergjencë pas tërmetit nga qeveria, shërbejnë si strehë që nga 26 nëntori.
ABC News ka shkuar në familjen Majmari në Durrës, që qëndron prej 8 muajsh në çadër.
Janë 4 anëtarë që jetojnë në këtë çadër të vogël, çifti i bashkëshortëve me 2 fëmijë. Kryefamiljari është invalid.
Kjo çadër praktikisht nuk shërben për asgjë, çfarë bie jashtë futët brenda.
Zonja e kësaj familje rrëfen për ABC News, se Bashkia ka shkuar vetëm një herë për tu çuar ushqime, përpara 3 javëve.
Në dyqane nuk mund të kërkojnë më borxhe sepse askush nuk u jep. Thirrja për bashkinë e Durrësit nga kjo familje ka qenë e vazhdueshme.
Ata kanë kërkuar ndihmë edhe nga të gjithë qytetarët e tjerë që kanë mundësi për ti dhënë ndihmë.
Së fundmi kjo familje i ka kërkuar bashkisë së Durrësit një kontejner për të futur kokën bashkë me familjen.
Në këtë kohë pandemie, jetesa në çadër është e papërballueshme për këtë familje, për më tepër ruajtja e higjienës është gati e pamundur./abcnews.al