Oliver Giroud e ka thyer heshtjen. Karim Benzema, i ngacmuar për të krahasuar veten me sulmuesin e Chelsea, e pa të pavend diçka të tillë. Futbollisti i Real Madrid tashmë ka marrë edhe një përgjigje nga sulmuesi i “Gjelave”.
“Çfarë jam unë, një go-kart?”, pyet sulmuesi, teksa flet për Befoot. Më pas ai shton me ironi: “Një kampion bote go-kart”. Një mesazh i qartë për Benzema, i cili është lënë jashtë kombëtares franceze që në vitin 2018 për shkak të çështjes “Mathieu Valbuena”.
DEKLARATAT E BENZEMA -“Kush është më i fortë mes meje dhe Giroud? Do të përgjigjem njëherë e përgjithmonë dhe do flas shkurt: mos ta ngatërrojmë Formula 1 me Kart. Po tregohem i sjellshëm madje. Nuk do të flas më për të, di të them që unë jam Formula 1”.
Kjo deklaratë e bërë nga Karim Benzema, në një lidhje “live” në Instagram bëri bujë në media, ndërkohë që francezi bëri më pas edhe një sqarim tjetër: “Disa njerëz u morën vetëm me atë pjesën rreth Giroud dhe Formula 1, por nuk e vunë re çfarë thashë unë për atë që ai i ka sjellë kombëtares franceze.
Ata u fokusuan vetëm te pjesa ku fola për Formula 1 dhe Kart, por është ajo që mendoj dhe e vërteta. Shikoni, nëse do të më pyesnin për Ronaldo fenomenin, atëherë ai do të ishte Formula 1 dhe unë Kart. Shkurt dhe thjeshtë”. /abcnews.al