Përfitojnë 60 mijë persona, kur fillon shpërndarja e “pagave të luftës”

schedule15:21 - 31 Mars, 2020

schedule 15:21 - 31 Mars, 2020

Në datën 1 prill, të gjitha bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milion lekë dhe që janë mbyllur me vendim qeverie  për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, mund të aplikojnë për të marë ndihmën financiare prej 26 mijë lekësh.

Drejtorja e Tatimeve, Delina Ibrahimaj ka sqaruar se ndihma financiare do të jetë për periudhën prill-qershor dhe do të shpërndahet për personat e punësuar apo të vetëpunësuar. Nga të dhënat rezultojnë se nga kjo ndihmë do të përfitojnë  mbi 60 mijë persona.

 “Ndihma ekonomike nis që nga data 1 prill, pasi një pjesë e aktiviteteve kanë ushtruar aktivitet gjatë marsit dhe kanë detyrimin për të deklaruar aktivitetin që kanë kryer gjatë marsit. Ndihma është menduar për një afat maksimalisht 3 mujor, për sa kohë që këto aktivitete do të qëndrojnë të mbyllura.

Pritshmëria që kemi në bazë të dhnëave që ne kemi në bazë të dhënave të administratës tatimore është që rreth mbi 60 mijë të punësuar apo të vetëpunësuar me pagë zero do të përfitojnë nga kjo ndihmë”.

Për shak të disa vendimeve të fundit për hapje biznesesh siç janë gomisteritë apo libraritë drejtorja e Tatimeve thekson se po punohet për një listë përfundimtare të subjekteve që përfitojnë nga ky vendim .

“Ministria e Shëndetësisë ka nxjerrë disa urdhëra në periudha të ndryshme, ne jemi duke punuar listën finale dhe do ta publikojmë në faqen e Drejtorisë së Përgjithsme të Tatimeve”, sqaroi ajo.

Aplikimi do të bëhet vetëm online dhe disa të dhëna do të jenë të plotësuara nga sistemi tatimor.Ndërsa i rëndësishëm  është dërgimi i llogarive bankare ku do të bëhet kalimi i pagesës nga thesari.

“Për këtë arsye në format është përcaktuar lista e individëve që përfitojnë dhe është shumë e rëndësishme që të përcaktohet edhe numri i llogarisë bankare.

Për bizneset e vogla që deklarojnë një herë në tre muaj, ne do të marrim në konsideratë deklaratën e muajit dhjetor dhe të gjithë lëvizjet për marrjen në punë apo largimin nga puna që çdo tatim pagues ka bërë deri në datën 10 mars”, sqaroi ajo.

Pas aplikimit drejtoria e Tatimeve ka një afat 10 ditor për të verifikuar të dhënat  për të qenë përfitues. Në total fondi i vënë në dispozicion nga buxheti për këtë paketë  është 5.8 mld lekë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!