Përfaqësuesi i kompanisë më të madhe të lobimit për armët në Amerikë ka akuzuar klasën politike dhe mediat se po keqpërdorin tragjedinë e Floridës. Shefi i NRA ka deklaruar se përgjegjësia për atë që ndodhi është e autoriteteve që neglizhuan të dhënat mbi autorin.
Kreu i lobit më të fuqishëm të armëve në Shtetet e Bashkuara ka akuzuar mediat dhe demokratët se po e keqpërdorin ngjarjen e ndodhur në shkollën e Floridës, ku humbën jetën 17 persona. Wayne La Pierre ka deklaruar se, oportunistët po e përdorin tragjedinë e 14 shkurtit për të imponuar kontrollin e armëve dhe për t’u hequr amerikanëve të drejtën e armëmbajtjes.
Komentet e La Pierre erdhën gjatë punimeve të Konferencës për aksionin politik konservator, të mbajtur në Uashington.
“Si zakonisht, oportunistët nuk qëndruan dot as edhe një sekondë pa keqpërdorur tragjedinë për qëllime politike”, tha La Pierre, drejtues i Shoqatës Kombëtare të Armëve, NRA. Ai theksoi se kjo kategori politikanësh e urren shoqatën që ai përfaqëson dhe po ashtu amendamentin e dytë të Kushtetutës që u lejon qytetarëve të drejtën e armëmbajtjes.
“Ata urrejnë edhe lirinë individuale”, tha La Pierre.
Komentet e tij ishin të parat që kompania e lobit të armëve bën, kur ka kaluar më shumë se një javë nga masakra në shkollën e mesme në Parklend. Shefi i NRA-së i drejtoi kritikat tek FBI-ja, që dështoi në ndjekjen e informacioneve që sinjalizonin rrezikshmërinë e autorit, si dhe tek ata politikanë amerikanë që i cilësoi “socialistë të stilit europian” që bëjnë thirrje për kontrollin e armëve.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump, në një takim me studentët e mbijetuar të tragjedisë propozoi armatimin e mësuesve për t’u bërë ballë rasteve të tilla, duke premtuar edhe shpërblime për ta nëse pajisen me armë./abcnews.al