Policia ka vendosur një numër të madh gjobash ndaj shkelësve të ndalim-qarkullimit. Burime zyrtare bëjnë me dije se gjatë 24 orëvë të vendit është gjobitur me 700 mijë lekë një person nga Tirana, i cili kishte thyer karantinën pas kthimit nga jashtë më datë 11 mars.
Gjithashtu janë gjobitur me nga 10 000 lekë 65 persona që janë gjetur duke ecur në këmbë pa asnjë arsye rrugëve të qyteteve si edhe 76 drejtues mjetesh.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.
Njoftimi i plotë
Strukturat e Policisë kanë vijuar kontrollet në të gjithë territorin, në zbatim të masave kufizuese të shpallura nga qeveria shqiptare, për vënien në kontroll të pasojave që sjellin përhapjen e COVID-19.
Gjatë 24 orëve të fundit është evidentuar një shtetas që ka thyer rregullin e vetëkarantinimit, i cili është ndëshkuar me masë administrative 700.000 lekë. Shtetasi K. B., banues në Tiranë, ka hyrë në Shqipëri më datë 11.03.2020 dhe është konstatuar nga shërbimet e Policisë jashtë banesës së tij.
Në të gjithë vendin janë ndëshkuar me masë administrative 10.000 lekë, 65 shtetas, të cilët u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke lëvizur në këmbë apo me biçikleta, pa ndonjë arsye apo emergjencë, njëri prej të cilëve u shoqërua në komisariat dhe u procedua penalisht për kundërshtim të urdhrit të punonjësit të Policisë.
Po gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin, janë evidentuar 76 drejtues mjetesh që kanë shkelur urdhrin e ndalim qarkullimit, të cilët janë ndëshkuar me heqje të lejes së drejtimit dhe bllokim mjeti, në zbatim të Aktit Normativ Nr. 3, datë 15.03.2020 ”Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga virusi COVID-19″.
Në të gjithë vendin janë konstatuar 9 subjekte tregtie që nuk kanë respektuar orarin e mbylljes dhe ndaj administratorëve është marrë masë administrative 100.000 lekë për secilin.
Policia e Shtetit apelon për të gjithë qytetarët që të respektojnë masat kufizuese, të mos lëvizin as në oraret e lejuara pa ndonjë arsye, ndërsa pensionistët nuk lejohen në mënyrë kategorike të dalin nga banesa.
Strukturat e Policisë vijojnë kontrollet dhe monitorimet pa ndërprerë, me qëllim zbatimin e masave në funksion të parandalimit të COVID-19.