Papërgjegjshmëria e qytetarëve infekton dy mjekë dhe tre infermierë: Dyshohet për një rast tjetër

schedule17:32 - 16 Mars, 2020

schedule 17:32 - 16 Mars, 2020

Situata që ka shkaktuar koronavirusi në vendin tonë për pak mund të përsërisë të njëjtin skenar si me Italinë.

Çfarë nuk duhet të ndodhë në këtë histori, është infektimi i stafit mjekësor i cili për fat të keq në Shqipëri ka “firuar”.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë nga të dhënat e ditës së sotme janë infektuar edhe një mjek dhe 3 infermierë të spitalit “Shefqet Ndroqi” në Tiranë.

Stafi është infektuar nga një pacient i cili është vizituar nga një afërm i tij që vinte nga Italia. Ai nuk ka treguar se nga vinte.

Po kështu ka ndodhur edhe në Durrës me pacienten 73 vjeçare e cila humbi jetën para pak ditësh nga koronavirusi.

Fakti se nuk ka treguar se po vinte nga Italia, ka bërë që një mjek në këtë spital të rezultojë i prekur nga Covid-19, duke e çuar numrin e personelit mjekësor të infektuar në 5, pa marrë parasysh rezultatin e analizave të personelit shëndetësor në Fier, me të cilet duket se është përsëritur e njëjta histori.

ABC News ka mësuar se dyshohet se edhe në QSUT një mjek reanimator është infektuar nga CoVid-19, por rrethanat janë ende të paqarta dhe Ministria e Shëndetësisë nuk e ka konfirmuar.

Ndërkohë qeveria ka marrë masa për të parandaluar infektimin e stafit mjekësor. Kushdo që nuk tregon se vjen nga vende apo zona të infektuara nga Covid-19 do të gjobitet me 700 mijë lekë.

Po ashtu ditën e sotme kryeministri Rama ka njoftuar se do të vazhdojë të marrë masa shtrënguese për të moshuarit duke i ndaluar të dalin nga shtëpitë, vendim të cilin do ta publikojë në vazhdim.

Shqipëria ka regjistruar deri ditën e sotme 51 persona të infektuar, nga të cilët 9 persona vetëm sot. /abcnews.al  

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!