Trajneri i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, foli për emisionin “Gol pas Goli” në Supersport, aty ku analizoi fitoren kundër Partizanit.
ARBITRIMI – “Unë nuk i kam kontestuar asnjëherë arbitrat, vetëm kur ka qenë ndonjë rast flagrant”.
TIFOZËT – “Ndoshta është dhe kjo një faktor, që futbollistët kanë pasur presionin e tifozëve. Kemi pasur shumë raste kur na duhej të fitonim ndeshjen”.
FITORJA – “Tri pikët e sotme ishin shumë të rëndësishme, pasi mund të mbeteshim në fund. Kjo ka qenë një fitore shumë e rëndësishme. Sot ka qenë ndeshje e keqe e anës tonë, por shpeshherë e morëm iniciativën. E kemi ditur që Partizani bën një lojë të mirë, me pasime të sakta. E kemi ditur gjithashtu se edhe ata kanë pasur presion dhe nuk kanë qenë në një moment të mirë”.
KRITIKAT – “Në futboll, gjithmonë ka kritikat, problemi është që të mos dëmtohemi. Unë edhe kur kam qenë trajner në Maqedoni, kemi pasur kritika, sidomos nga shqiptarët. Ne i kemi pranuar kritikat, kemi bashkëjetuar me shqiptarët. Jam mësuar me këto kritika”.
VENDI I TETË – “Nuk e di kujt do t’ia lëmë vendin e tetë. Ne kemi pritur që të fitonin Teuta dhe Bylis, por nuk ndodhi ashtu. Shumë i vështirë është ky kampionat, ne duhet të përqendrohemi në takimin e radhës. Ndeshja kundër Flamurtarit do të jetë e vështirë”.
RASTET – “Dorë e pastër brenda zonës, është vendimi i gjyqtarit. Ndërsa pretendimi i Partizanit, ishte një duel i pastër mes një sulmuesi dhe një mbrojtësi, që ndodh shpesh në futboll”, tha Jonuz./abcnews.al