Zëvendësministri i Drejtësisë, Tedi Dobi, ka folur për detyrimet e Shqipërisë në procesin e integrimit europian, duke u ndalur te përafrimi i Kodit të Procedurës Penale me legjislacionin e Bashkimit Europian.
Dobi theksoi se Shqipëria duhet të përmbushë detyrimet që lidhen me Kapitullin 24, ndërsa kujtoi se në janar janë bërë ndryshime në Kodin Penal në kuadër të këtij procesi.
Sa i përket Kodit të Procedurës Penale, ai bëri të ditur se është hartuar një draft me asistencën e Këshillit të Europës, i cili është nxjerrë për konsultim publik. Pas kësaj faze, drafti do t’i nënshtrohet një vlerësimi të thelluar nga Bashkimi Europian.
“ Shqipëria ka detyrim të përafrojë Kodin e Procedurës Penale me BE-në. Në çdo lloj akti, në fazën finale, merret konfirmimi i BE-së. Ne kemi bërë ndryshime në Kodin Penal në janar, për shkak të detyrimit të Kapitullit 24.
Nëse flasim për Kodin e Procedurës Penale, është përafrim. Ka elemente për mbrojtjen nga avokati, ndihmën juridike. Është bërë një draft me asistencën e Këshillit të Europës, është nxjerrë në konsultim publik dhe më pas i kalon për një vlerësim të thelluar BE-së.
Metodologjia e re vendos parimin e kthyeshmërisë. E gjithë logjika është që, me mbylljen e këtij procesi, ky proces burokratik, elementi final, të kthehet në terren. Mbyllja e kapitujve, vendi ynë po ecën me ritëm të lartë.”


