Vesel Limaj, mesfushori i Kukësit, doli sot para mediave për të folur për ndeshjes e nesërme me Tiranën. Fillimisht ai foli për situatën në kampin verilindor para kësaj përballje. “Situata në ekip është shumë e mirë dhe kemi shumë harmoni”, thotë fillimisht mesfushori dardan.
Sa i takon ndikimit të sfidës me Tiranën në luftën për titull, Limaj shton: “Nëse fitojmë nesër, atëherë jemi një hap përpara. Gjithsesi nuk vendos për titull, pasi ka akoma shumë ndeshje përpara”.
A ka Kukësi diçka më shumë se Tirana? Limaj shprehet kështu: “Mendoj se kemi më shumë kualitet. Kemi lojtarë cilësorë. I kemi mundur dy herë”. Në lidhje me këshillat e profesor Duros, mesfushori shton: “Nuk është se profesori kanë thënë diçka speciale. Jepni maksimumin, kjo është ajo që na kërkohet”.
Rivali më i fortë, Tirana apo Partizani? “Për mua janë të dyja, edhe pse Partizani ka pasur ulje dhe ngritje. Gjithsesi ata janë sërish aty”. Limaj ka shënuar shpesh gola të bukur dhe ai është gati të realizojë sërish: “Gati jam gjithmonë. Normalisht kam dëshirë të shënoj gol, por kryesorja është të marrim tre pikët. Nuk ka rëndësi kush shënon. Kemi shumë kualitetet. Nuk mund ta them kush e zgjidh këtë ndeshje, pasi mundet çdokush nga ne”, përfundoi Limaj. /abcnews.al