Nga Mustafa Nano
E keni parë kryeministrin tonë, Edi Rama në marrëdhënie me gazetarë të huaj, kur ai është në studio televizive të huaja, përballë gazetarëve që nuk janë shqiptarë.
Besoj që keni mundur të vini re që Edi Rama është një burrë i qetë, me tone të qeta, dhe që bën figurë të mirë. Hera e fundit që u pa ishte në studion e Bruno Vespës, në “RAI”, ku bëri një figurë të mirë. Ishte i kujdesshëm , përdori tone të qeta me një kontroll të hatashëm. Kam përshtypjen që të gjithë shqiptarët që e kanë parë, janë ndjerë mirë që kryeminstri i tyre, ishte një zotëri i vërtetë në një studio televizive të huaj.
Por kjo është një gjë që nuk ndodh në Tiranë. Ndodh krejt e kundërta. Mbrëmë (të enjten) kryeministri Edi Rama ishte i ftuar në “Opinion” dhe ndodhi ajo që ju e keni parë. Debati ishte kacafytje. Ndodhi ajo që ndodh shpeshherë mes gazetarëve në studion e “Opinion”, dhe prania e Ramës e bëri debatin më të keq se çdo debat i keq, i bërë mes gazetarësh pa praninë e Ramës. Kjo ndodhi për faj të Ramës.
Kjo ndodh sigurisht për faj të gazetarëve që kanë qejf ti drejtohen me “Ti”. Jam shumë kritik ndaj gazetarëve që shfrytëzojnë rrethana të tilla për të nxjerrë në evidencë madhështinë e tyre. Por nuk është çështja te gazetarët. Debate të tilla ku Rama merr pjesë janë të këqija sepse është faji i kryeministrit Rama.
Asnjë kryeministër, asnjë shtetar në botën e civilizuar nuk sillet në studio televizive, ashtu siç sillet Rama në Tiranë. Ka kryeministër në botë që janë të pakujdesshëm, kemi rastin e Donald Trump, i cili sillet shumë keq. Por nuk e kemi parë në studio televizive të sillet siç sillet Rama. Unë nuk e di arsyen pse Rama sillet ndryshe jasht Tirane. Mendoj që Rama duhet ti evitojë daljet e veta në televizionet e Tiranës në prani të gazetarëve. Është një gjë që nuk i vlen askujt. Debate të tilla televizive bëhen me synimin për të garantuar transparencën e qeverisjes dhe për të diskutuar mbi çështje më rëndësi kombëtare, që na shqetësojnë të gjithëve. I bëj apel jo vetëm Ramës, por edhe kolegëve të mi, që të mos organizojnë debate të tilla me kryeministrin sepse nuk i duhen askujt.