FBI ka publikuar një paralajmërim për sulme kibernetike që mund të prekin biznese dhe organizata në mbarë botën.
Sipas autoriteteve amerikane, kriminelët kibernetikë dhe hakerët e lidhur me shtete po përdorin inteligjencën artificiale për të depërtuar në rrjetet kompjuterike, duke arritur në disa raste të marrin akses me privilegje të larta në më pak se tri orë.
Paralajmërimi është publikuar nga zyra e FBI-së në Dallas, e cila ka shpërndarë edhe një dokument zyrtar prej 13 faqesh mbi teknologjinë ARTEX, që po përdoret për të automatizuar sulmet. Në dokument përshkruhen raste konkrete, përfshirë vjedhjen e të dhënave personale të rreth 67 mijë personave në Korenë e Jugut dhe një sulm që u shoqërua me përpjekje për hyrje në më shumë se 2,250 sisteme klientësh të lidhur me shërbimet e Microsoft 365.
“FBI ka lëshuar një paralajmërim urgjent se kriminelët kibernetikë dhe hakerët e lidhur me shtete po shfrytëzojnë ARTEX, një platformë testimi të sigurisë që përdor superinteligjencën, për të automatizuar sulmet ndaj bizneseve dhe organizatave në mbarë botën”., thuhet në reagim.
Alarmi i FBI-së vjen në një kohë kur Shtetet e Bashkuara janë përballur me një sërë ndërprerjesh teknologjike, nga problemet me bankat deri te dalja jashtë funksionit e rrjetit të klasifikuar të komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare (NSA). Ndërkohë, një tjetër njoftim është publikuar sot nga Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA), e cila ka bërë të ditur se në të gjithë SHBA-në do të transmetohet një test i alarmit kombëtar të emergjencave.
Sipas dokumentit, ARTEX mund të përdoret edhe nga persona me njohuri të kufizuara teknike, pasi automatizon veprime që zakonisht kërkojnë aftësi të specializuara. FBI u kërkon bizneseve dhe organizatave të forcojnë kontrollet e aksesit në sistemet e tyre, të monitorojnë aktivitetet e dyshimta të automatizuara dhe të raportojnë çdo rast të mundshëm komprometimi në qendrën amerikane të denoncimit të krimeve në internet.
Në të njëjtën ditë me paralajmërimin e FBI-së, Agjencia Federale e Menaxhimit të Emergjencave (FEMA) njoftoi zhvillimin e një testi të sistemit kombëtar të alarmit të emergjencave në të gjithë Shtetet e Bashkuara.
Radiot dhe televizionet amerikane transmetuan një sinjal alarmi, për të provuar sistemin që përdoret për të paralajmëruar popullsinë në raste emergjencash.
FEMA sqaroi se testi ishte planifikuar më parë dhe qytetarët nuk kishin nevojë të ndërmerrnin asnjë veprim.
Paralajmërimet e sotme vijnë pas disa ndërprerjeve teknologjike që kanë prekur Shtetet e Bashkuara gjatë ditëve të fundit.
Të hënën, mijëra klientë të bankave amerikane mbetën pa akses në llogaritë e tyre, ndërsa u regjistruan probleme edhe me transaksionet elektronike. Ndërkohë, rrjeti shumë i klasifikuar i komunikimit të Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, i njohur si NSA Net, doli jashtë funksionit.
Sipas CNN, që citon gjashtë burime, ndërprerja preku rrjetin që përdoret nga punonjësit e NSA-së për shkëmbimin e informacioneve të klasifikuara. Agjencia ka vendosur që personeli të paraqitet në punë me orare të ndryshme, ndërsa po përpiqet të përcaktojë përmasat e problemit.
Një zyrtar aktual dhe një ish-zyrtar amerikan thanë se ndërprerja nuk do të pengonte komunikimin e informacioneve urgjente të inteligjencës me presidentin Donald Trump, pasi ekzistojnë sisteme rezervë dhe rrjete alternative për komunikime të sigurta.
Probleme janë regjistruar edhe në transportin ajror. Të premten, fluturimet në të gjithë SHBA-në u pezulluan për disa orë pas një defekti në sistemet e Administratës Federale të Aviacionit (FAA), duke shkaktuar vonesa dhe anulime të mijëra fluturimeve. Sipas autoriteteve, problemi u gjurmua te një ruter në Arkansas.
Javën e kaluar, një ndërprerje e shërbimeve të Microsoft la përdorues në mbarë botën pa akses në postën elektronike Outlook dhe takimet në Microsoft Teams.
Deri tani nuk ka prova që ndërprerja e NSA Net, problemet me fluturimet apo ato të Microsoft të jenë shkaktuar nga sulme kibernetike. Po ashtu, FBI nuk i ka lidhur këto ndërprerje me sulmet që po kryhen përmes ARTEX.



