Komisioni Europian do të paraqesë sot strategjinë e tij të zgjerimit. Sipas një dokumenti të kësaj strategjie, të bërë publike nga Zëri i Amerikës, Brukseli njeh përparimin e bërë ndër vite nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Por vlerëson se asnjë prej tyre nuk është ende gati për anëtarësim.
Komisioni Evropian pritet të paraqesë sot Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor. Dokumenti qe do te prezantohet nga presidenti I Komisionit Jan Klod Junker, ripërcakton nga njëra anë detyrimet kryesore që vetë vendet e rajonit duhet të përmbushin, dhe nga ana tjetër, flet për një angazhim në rritje të vetë Bashkimit Evropian për t’i mbështetur më shumë këto vende në rrugëtimin e tyre.
Që në hyrje të Strategjisë për Zgjerimin, saktësohet se vendet e Ballkanit Perëndimor do të bëhen pjesë e Bashkimit Evropian “por jo në kushtet në të cilat ato janë aktualisht”. Dokumenti njeh përparimin e bërë ndër vite “por në mënyrë që vendet të përmbushin të gjitha kushtet e anëtarësimit dhe të forcojnë demokracitë e tyre, ende kërkohen reforma gjithëpërfshirëse dhe bindëse në fusha vendimtare” duke veçuar tre drejtimet kryesore: sundimin e ligjit, konkurrueshmërinë dhe bashkëpunimin rajonal e pajtimin.
I një rëndësie parësore për BE-në konsiderohet “forcimi i ndjeshëm i Shtetit ligjor”. Panorama e sotme që vizatohet nga dokumenti paraqitet problematike, ndërsa flitet për “elemente të qarta të kapjes së shtetit, duke përfshirë lidhjet me krimin e organizuar dhe korrupsionin në të gjitha nivelet e qeverisë dhe administratës, si dhe një përzierje të fortë mes interesave publike dhe atyre private”, gjë e cila “ushqen një ndjenjë të mosndëshkimit dhe pabarazisë”. Dokumenti flet për ndërhyrje të gjera politike dhe kontroll të medieve. Shteti ligjor, te drejtat themelore dhe qeverisja e mirë konsiderohen si “një pikë kyçe referimi në bazë të së cilës vendet do të gjykohen nga BE-ja”, ndërsa vihet theksi te nevoja për reformat në sistemin gjyqësor që do të sigurojnë “funksionimin e pavarur, cilësor dhe efikas të tij”.
Ekonomia është fusha tjetër e rëndësishme ku sipas BE-së kërkohen transformime rrënjësore. “Sektorët kritik të ekonomive të rajonit janë jo-konkurruese, me shumë ndërhyrje të panevojshme politike dhe një sektor privat të pazhvilluar. Asnjë prej ekonomive të Ballkanit Perëndimor, aktualisht nuk mund të konsiderohet një ekonomi tregu funksionale dhe as të ketë kapacitetin për të përballuar trysninë konkurruese dhe forcat e tregut në Bashkimin Evropian”, vlerëson Strategjia.
Për Bashkimin Evropian ka një rëndësi të dorës se parë që ndërsa vendet e rajonit përgatiten për t’iu bashkangjitur, ato të kenë lënë pas të gjitha problemet mes tyre, përmes zgjidhjeve përfundimtare. “Ende ekzistojnë mosmarrëveshje të rëndësishme dypalëshe midis vendeve të rajonit të cilat mbeten për t’u zgjidhur. BE-ja nuk do të pranojë të importojë këto mosmarrëveshje dhe paqëndrueshmërinë që mund të sjellin”. Në document përmendet specifikisht situata mes Serbisë dhe Kosovës. “Pa një normalizim efektiv dhe gjithëpërfshirës të marrëdhënieve Beograd-Prishtinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, nuk mund të ketë stabilitet të qëndrueshëm në rajon. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe normalisht e detyrueshme për normalizimin është urgjente dhe vendimtare në mënyrë që Serbia dhe Kosova të përparojnë në rrugët e tyre evropiane”./abcnews.al