Vllaznia-Tirana ishte takimi i parë i javës së 21-të të Kategorisë Superiore. Nisur nga rëndësia e përballjes, klasikja e Shqipërisë ishte programuar të luhej një ditë para sfidave të tjera, për t’i dhënë kështu rëndësinë e duhur.
Thirrjet për pjesëmarrje masive në këtë ndeshje ishin të shumta dhe në njëfarë mënyre tifozët u përgjigjen. Numri i pjesëmarrësve ishte i lartë dhe kështu klubi i Vllazninë ka arkëtuar miliona nga shitja e biletave.
Gjithashtu miliona do të shpërndahen për lojtarët e Tiranës, që fituan dhe do të shpërblehen. Në kampin bardheblu, këtë sezon shpesh herë ka pasur premio për rezultatet pozitive dhe me këto ritme presidenti Refik Halili do të duhet ta fusë shpesh dorën në xhep.
LOTËT – Humbja e Vllaznisë erdhi për shkak të një gabimi. Fillimisht Winful Cobbinah u rrëshqiti disa lojtarëve dhe më pas pati mundësinë të gjuante në portë. Portieri Alen Sherri nuk e ndaloi dot topin e gjuajtur nga mesfushori, edhe pse i kishte të gjitha mundësitë.
Tedi Laço, portieri i dytë i kuqebluve, menjëherë shkoi t’i jepte zemër të riut shkodran, i cili ishte shtrirë në tapetin e stadiumit “Loro Boriçi”. Sherri po qante, ndërkohë që më pas pranë tij shkoi edhe Gentian Muça, kapiteni i Tiranës. /abcnews.al