VIDEO | Roma komplikon objektivin Champions, Bologna “pushton” kryeqytetin

schedule22:41 - 7 Shkurt, 2020

schedule 22:41 - 7 Shkurt, 2020

Roma doli pa pikë nga përballja me Bologna dhe pësoi humbjen e dytë radhazi në kampionat. Vendi i katërt është në rrezik dhe Atalanta mund të shkëputet nëse fiton ndeshjen e vet. Triumf fantastik për ekipin e Sinisa Mihajlovic, i treti radhazi në Serie A. Sfida nisi me gafa dhe tre gola u realizuan brenda 10 minutave.

Orsolini përfitoi nga një hezitim i Smalling dhe zhbllokoi shifrat pas çerek ore lojë. Gëzimi i miqve zgjati pak, pasi holandezi Denswil gaboi shënjestër gjashtë minuta më vonë. Mbrojtësi devijoi në portën e tij dhe shkaktoi autogol. Gjithsesi, Bologna u rikthye në avantazh menjëherë.

Talenti Barrow lëvizi bukur në krahun e majtë dhe dërgoi topin në trekëndëshin e Pau Lopez. Goditja e sulmuesit nga Gambia u devijua edhe nga një mbrojtës i Romës. Barrow shënoi sërish në fillimin e pjesës së dytë. 21-vjeçari i ardhur nga Atalanta në merkaton e janarit mori topin në mesfushë, kreu një driblim dehës ndaj Mancinit dhe dërgoi topin në rrjetë.

Armeni Mkhitaryan riktheu verdhekuqtë në lojë me golin e shënuar me kokë në minutën e 72-të, por vetëm kaq. Mesfushori Cristante la Romën me dhjetë lojtarë në minutën e 80-të pas ndëshkimit me të kuqe. Ekipi i Fonsecas nuk pati më forca për të tentuar barazimin dhe ndeshja u mbyll me festën e miqve, që ngjiten në vend të gjashtë me 33 pikë, gjashtë më pak se Roma.

Roma-Bologna 2-3
(Denswil (aut) 22′, Mkhitaryan 72′ / Orsolini 16′, Barrow 26′, 51′)

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!