Policia ka arrestuar 3 autorët e dyshuar të përplasjes me armë që ndodhi në orët e vona të së mërkurës në pedonalen e Shkodrës. Dy grupe të rinjsh kishin lënë takim për “t’u sqaruar” por e shndërruan sheshin e qytetit, në shesh lufte. Në vendin e ngjarjes policia ka gjetur 10 gëzhoja. Paraprakisht mësohet se kemi të bëjmë të rinjtë që janë konflikuar për motive të panjohura, por ata nuk identifikohen si pjesëtarë të grupeve kriminale.
Siç raporton gazetari Simon Shkreli për abcnews.al, si pasojë e përplasjes me armë në hyrje të pedonales “Kol Idromeno” mbeti e plagosur në këmbë një 35-vjeçare kalimtare, e cila ndodhej në shoqërinë e motrës dhe dy kunetërve. E plagosura Liljana Jeremija ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Ajo ka treguar jashtë kameras, për gazetarin e ABC News, se kishte vënë re se në një nga stolat e pedonales ishin ulur dy të rinj dhe më pas janë afruar disa të tjerë dhe kanë shtënë me armë në drejtim të tyre. Papritur plumbi ka prekur 35-vjeçaren në këmbë dhe janë bërë copë dhe xhamat e një makine të tipit BMW që ishte parkuar aty pranë. Më pas të rinjtë janë larguar me vrap.
E plagosura nga nga fshati Golem kishte dalë nga spitali pasi po vizitonte vjehrrën, ndërsa motra e saj ka të shtruar djalin në spital. Gratë kishin dalë për të blerë ilaçe në farmaci dhe më pas ishin ulur në një lokal.
Më pas e plagosura Liljana Jeremija, motra e saj dhe dy kunetërit pasi dolën nga lokali ranë pre e plumbave të dy grupeve që u përplasën me armë. Për ngjarjen e rëndë të katërt dëshmitarët kanë dhënë dëshminë në polici./abcnews.al