Policia e Shkodrës ka goditur një grup kriminal në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Dy persona janë vënë në pranga, një tjetër është shpallur në kërkim, ndërkohë është sekuestruar 77 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, armë zjarri e sende të tjera të kundërligjshme që i shërbenin veprimtarisë kriminale.
Pjesë e grupit ishin dy vëllezër, banorë të fshatrave Abat dhe Grudë e Re, dhe djali i njërit prej tyre. Dy vëllezërit, 49 dhe 57 vjeç, janë arrestuar, ndërsa djali 24 vjeç është shpallur në kërkim dhe policia thotë se po punon për kapjen e tij.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesën e 49-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi 10 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.
Ndërsa në banesën e 57-vjeçarit u gjetën dhe u sekuestruan rreth 67 kilogramë lëndë e dyshuar cannabis sativa, e ndarë në thasë, 1 pistoletë me krehër me fishekë, 1 pushkë pneumatike, municion luftarak për armë zjarri dhe armë gjahu, aksesorë armësh, 1 shkop metalik, 2 radio marrëse-dhënëse, 1 peshore elektronike dhe 2 kamera.


