Dekriminalizimi në Korçë/Apeli i shpall të gjithë zyrtarët të pafajshëm

schedule12:47 - 30 Janar, 2018

schedule 12:47 - 30 Janar, 2018

Në Korçë ligji për dekriminalizimin është zbatuar në mënyra të ndryshme nga strukturat e drejtësisë. Ndërsa Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së Parë ka dënuar zyrtarët që kanë fshehur dënimet, është gjykata e Apelit ajo që i ka shpallur të gjithë të pafajshëm.

 

Zyrtaret e administratës publike ose të zgjedhur vendorë, të cilët janë proceduar nga Prokuroria e Korçës, për fshehjen e dënimeve në formularin e dekriminalizimit, janë shpallur të pafajshëm me vendim të formës së prerë.

Ligji i dekriminalizimit është zbatuar në mënyra të ndryshme nga organet e sistemit të drejtësisë në Korçë.

Prokuroria ka dërguar për gjykim dhjetra raste, të zyrtarëve të cilët nuk kishin deklaruar penalitetet e marra ndër vite, logjikë e cila është mbështetur nga Gjykata e Shkallës së Parë, e cila i ka deklaruar fajtorë, duke dhënë dënime, që fillojnë nga 6 muaj burg. Por Gjykata e Apelit, ka mbajtur qëndrim të ndryshëm, duke i prishur të gjitha vendimet e shkallës së parë dhe duke i shpallur të pafajshëm zyrtarët e proceduar në kuadër të ligjit të dekriminalizimit.

Avokati Nevzat Tarelli konstaton keqzbatim dhe keqinterpretim të ligjit të dekriminalizimit nga Prokuroria dhe Gjykata e Shkallës së parë. Sipas argumetave të tij,rastet e fshehjes së dënimeve në formular, kanë qenë për vepra penale, të cilat ligji i dekriminalizimit nuk i përfshin dhe penalizon.

 

Nga ana tjetër, formulari i dekriminalizimit është kontradiktor dhe i paqartë, duke tejkaluar logjikën e ligjit.

 

Gjykata e Apelit të Korçës ka konsoliduar praktikën, duke deklaruar të pafajshëm zyrtarët, të cilët nuk kishin deklaruar në formular dënimet, të cilat vetë ligji i dekriminalizimit nuk i përfshin, duke detyruar organin e akuzës, të ndërpresë procedimin e zyrtarëve mbi këto argumenta./abcnews.al

Gazetare e ABC News, Korçë: Daniela Zisi

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!