Flamurtarit i është bllokuar merkatoja, me kusht që të shlyejë borxhin që ka ndaj mbrojtësit rumun Cristian Sirghi. Në Vlorë prej ditësh shprehen të bindur që ata do të regjistrojnë lojtarë dhe sot kanë bërë lëvizjen që do t’i zhbllokojë ata.
Gjithsesi llogaritë nuk kanë qenë të duhurat dhe afrimet e janarit nuk do të mund të luajnë në Shkodër kundër Vllaznisë, në takimin që nis sot prej orës 14:00. E gjitha kjo ndodh për arsye proceduriale.

ABC News mëson se në llogaritë Sirghi janë derdhur 36 mijë euro dhe problemi i merkatos është drejt zgjidhjes. Avokati i mbrojtësit duhet të njoftojë FIFA-n për shlyerjen e pagesës dhe më pas qeveria botërore e futbollit të japë “OK”-in që Flamurtari të regjistrojë futbollistë.
FSHF në këto kushte nuk mund të ndihmojë dot, pasi do të rrezikonte dënim nëse do lejonte vlonjatët të regjistronin prurje të reja në ekipin e parë. Në Shkodër janë zbuluar edhe formacionet dhe rezervat, ku konfirmonet që asnjë prej afrimeve nuk është pjesë e vlonjatëve. /abcnews.al
Formacioni i Vllaznisë: Sherri, Gligorov, Shehi, Malota, Marku, Gurishta, Ramadani, Bardulla, Lika, Shtubina, Hristov. Trajner: Mirsad Jonuz
Formacioni i Flamurtarit: Moçka, Gocaj, Pjeshka, Muçollari, Haruni, Rrapaj, Vrapi, K. Nebihu, Kreshpa , Hoxhaj, Ribaj. Trajner: Dritan Resuli

