Vesel Limaj dhe Vasil Shkurtaj kanë oferta nga jashtë vendit. Mesfushori, i cili disa kohë më parë bëri kërkesë që të mos i zgjatej kontrata, vijon të stërvitet me Kukësin. Ende nuk ka asgjë zyrtare për rinovimin e kontratës, por në krahun tjetër në klubin verilindor janë të bindur se nuk ka një çështje.
Vetë Limaj ende nuk ka mbajtur një qëndrim. Ofertat në drejtim të tij kanë qenë disa, madje edhe nga klube të Kategorisë Superiore. Kjo pasi kanë mësuar se ai është lojtar i lirë. Një pistë për të ardhmen e mesfushorit është edhe Kroacia.
“Vip Sport” raporton se për Limajn interesohet klubi i Osijek, ku aktivizohet edhe Eros Grezda dhe ish-lojtari i Tiranës, Merveil Ndockyt. Një tjetër futbollist i Kukësit është në shënjestër dhe bëhet fjalë për sulmuesin Vasil Shkurtaj, autor i 11 golave këtë sezon.
Vlonjati, sipas asaj që shkruan Supersport, kërkohet në Holandë. Nuk bëhet i ditur emri i klubit që e ka si objektiv sulmuesin, për të cilin Kukësi do të kërkojë të përfitojë financiarisht. Nëse Shkurtaj shitet, më pas lind detyra e vështirë për të gjetur një sulmues tjetër, pasi edhe Mirlind Daku u largua për mungesë të hapësirave. /abcnews.al