Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy ka kritikuar vendimin e Donald Trump për pezullimin e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, duke deklaruar se një veprim i tillë vetëm sa e inkurajon Vladimir Putinin të vijojë sulmet kundër Ukrainës.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Zelenskyy theksoi se vendimi vjen në një moment kur Moska po intensifikon sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase, me synimin për të lënë miliona qytetarë pa energji elektrike dhe ngrohje përpara dimrit.
“Rusia po përpiqet të lërë miliona njerëz tanë pa energji elektrike dhe ngrohje. Nevojitet presion për ta ndaluar këtë”, shkroi presidenti ukrainas.
Ai shtoi se bllokimi i sanksioneve amerikane dhe lehtësimi i presionit ndaj Moskës, sipas tij, i japin Kremlinit arsye të tjera për të vazhduar agresionin.
Zelenskyy nënvizoi se presioni ndaj Rusisë duhet të vijojë dhe se përpjekjet ndërkombëtare duhet të përqendrohen te përfundimi i luftës, e jo te krijimi i kushteve që, sipas tij, do t’i mundësonin Putinit ta zgjasë atë pafundësisht.


