900 kilogramë marijuanë janë sekuestruar nga policia italiane, pas një operacioni të përbashkët me policinë tonë dhe atë malazese.
Përveç droges, e cila përllogaritet të ketë një vlerë në treg prej 8 milionë eurosh, në pranga janë vënë edhe dy shtetas shqiptarë. Gomonia oqeanike me të cilën u tentua trafikimi i 9 kuintalëve marijuanë ishte nisur nga Mali i Zi.
Një gomone oqeanike që transportonte rreth 900 kilogramë marijuanë, që e shitur në treg do të sillte mbi 8 milionë euro fitime, është sekuestruar nga agjentët operativë të Guardia di Finanza në Bari. Sipas raportimeve të mediave italiane, mjeti lundrues është kapur në lokalitetin Punjokiuzo të Foxhias. Dy skafistët që ndodheshin në bord, dy shtetas shqiptarë të moshave 52 dhe 39 vjeç, janë arrestuar pas një ndjekjeje të gjatë. Kur kanë parë njësitë e agjentëve të Guardia di Finanza, trafikantët kanë hedhur në det një pjesë të ngarkesës dhe më pas kanë braktisur gomonen në një plazh të Punjokiuzo dhe janë larguar në rrugë tokësore.
Në operacionin për kapjen e 9 kuintalëve marijuanë ka patur rol dhe policia shqiptare. Abc Neës ka mësuar se ka qenë policia jonë kufitare që ka sinjalizuar Policinë e Malit të Zi që këta dy shtetas shqiptarë mund të tentonin të kryenin ndonjë trafik narkotikësh, pasi ishin të skeduar si persona të dyshuar në narkotrafik dhe për këtë qëllim mbaheshin nën vëzhgim. Dy shqiptarët kanë kaluar kufirin si qytetarë si këmbësorë në Mal të zi, vend nga i cili mësohet se është nisur gomonia e ngarkuar me sasinë e konsiderueshme të bimës narkotike. Policia jonë Kufitare dhe Guardia di Financa mësohet se janë organizuar dhe pas ndjekjes në det nga ana e autoriteteve navale dy sksfistët hodhën lëndën narkotike në det dhe tentuan t’i shpëtojnë prangave. Por sipas mediave italiane, arratia e tyre ka qenë e shkurtër, pasi ata janë lokalizuar pak më vonë në një vilë dhe janë vënë në pranga./abcnews.al