Pranohet gjykimi i shkurtuar për Selami Simsek, shtyhet seanca

schedule18:47 - 13 Janar, 2020

schedule 18:47 - 13 Janar, 2020

Gjykata Penale e Tiranës pranoi këtë të hënë kërkesën për gjykim të shkurtuar për shtetasin turk Selami Simsek, i cili akuzohet për falsifikim vize. Gjykata ka vendosur datën 27 janar për seancën e ardhshme, ku prokuroria do të paraqesë konkluzionet përfundimtare për Simsek.


Në sallën e gjyqit ishte i pranishëm edhe një përfaqësues i Ambasadës së Turqisë në Shqipëri. Selami Simsek është ndaluar në Rinas, teksa po tentonte të largohej nga vendi ynë me një vizë kanadeze të falsifikuar, për të cilën, sipas prokurorisë ka paguar 5 mijë euro.

Shimshek është ndaluar për të njëjtën akuzë me një bashkatdhetar të tij, Harun Çelik.  42-vjeçari Çelik u deportua drejt Turqisë më 1 janar të këtij viti nga autoritetet shqiptare, me një procedurë që ende është e paqartë, ndërsa avokatët e tij kanë kërkuar nga policia e shtetit informacion zyrtar.

Prej ndalimit, Selami Simsek ka qenë në paraburgim dhe hetimi për të ka vijuar për falsifikim të dokumenteve.

Vëmendja është e lartë për këtë çështje, pasi bashkatdhetari i tij, mësuesi turk Harun Çelik, pas vuajtjes së dënimit për falsifikim dokumentesh, u deportua drejt Turqisë, edhe pse kishte kërkuar azil politik. Çelik konsiderohet si mbështetës i lëvizjes Gyleniste, e cila është cilësuar nga presidenti Erdogan si organizatë terroriste që pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik 2016. Nuk dihet nëse Shimshek do të ketë të njëjtin fat si Çelik, i cili u deportua me procedura urgjente drejt vendit të tij.

Për rastin e mësuesit Harun Çelik, nuk kanë munguar reagimet e opozitës, që kërkoi transparencë nga autoritetet e drejtësia dhe nga qeveria. Por asnjë përgjigje nuk erdhi nga organet shtetërore./abcnews.al