Gjashtë ish zyrtarët e Bashkisë Tiranë u shpallën të pafajshëm nga Gjykata Penale e Tiranës për veprat penale “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentash”, për projektin e prishjes së një pallati në zonën e Kombinatit në kryeqytet, pa vendim të Këshillit Bashkiak, në janarin e vitit 2020.
Gjyqtari Gerd Hoxha gjeti të pafajshëm Aurel Boricin, Aurel Cukon, Eleana Guce, Sokol Qehajaj, Rexhina Rakipi dhe Fatmir Shiri, ndonëse prokurori Bledar Valikaj kishte kërkuar fajësi për të gjithë.
Fajtor për konsumimin e veprës penale “falsifikim dokumentash” u gjetën vetëm Shyqyri Maloku sipërmarrës i punimeve i cili u dënua me 9 muaj burg si dhe Aleksandra Mahmutllari përfaqësuese e subjektit që fitoi tenderin e demolimit të objekteve, që u dënua me 6 muaj. Për të dy ata, dënimi u konvertua në shërbim prove.
Sipas prokurorisë, kjo e fundit ka paraqitur të dhëna të rreme dhe punime fiktive duke shkaktuar dëm të madh buxhetit të Bashkisë Tiranë me disbursimin e fondeve publike. Ndërsa Shyqyri Maloku i cili ishte personi përgjegjës në hartimin e dokumenteve, ka paraqitur të dhëna të rreme.
Hetimi i kryer nga prokuroria e Tiranës tregoi se ish zyrtarët e Bashkisë Tiranë falsifikuan dokumenta dhe shpërdoruan detyrën lidhur me procedurat për shembjen e një pallati në Kombinat, që u dëmtua nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019./abcnews.al/


