Një shtetas shqiptar ka mbetur i vrarë gjatë një operacioni policor në Itali, i cili përfundoi në përplasje me armë zjarri. Ngjarja u regjistrua në San Pietro di Cavarzere, pranë Venecias, ku policia kishte ndërhyrë për arrestimin e personave të shpallur në kërkim.
Sipas mediave italiane, efektivët e policisë kishin shkuar në një banesë për të ekzekutuar dy urdhër-arreste. Në momentin e ndërhyrjes, aty ndodheshin tre persona dhe situata përfundoi në shkëmbim zjarri me policinë.
Gjatë përplasjes, njëri prej personave të kërkuar, shtetas shqiptar, u qëllua për vdekje. Një tjetër person u arrestua, ndërsa i treti, gjithashtu në kërkim dhe dyshohet se ishte i armatosur, arriti të largohej.
Pas arratisjes së tij, policia italiane ka nisur një operacion për kapjen e personit të tretë. Në kërkime janë angazhuar forca të shumta policore dhe një helikopter./abcnews.al


