Pamjet e momentit të arrestimit të një prej trafikantëve më të kërkuar të drogës në Meksikë, Fausto Isidro Meza Flores, i njohur me nofkën “Chapo Isidro”, janë publikuar nga autoritetet meksikane.
Në videon e kamerave të trupit shihen forcat speciale duke hyrë në banesën ku fshihej drejtuesi i kartelit, duke kontrolluar ambientet dhe duke vënë nën kontroll personat që ndodheshin brenda.
Meza Flores u arrestua së bashku me 16 anëtarë të dyshuar të organizatës së tij kriminale, mes tyre edhe krahu i tij i djathtë, i njohur si “Serafín”.
Sekretari i Mbrojtjes i Meksikës bëri të ditur se gjatë ndërhyrjes, forcat ushtarake u përballën me persona të armatosur që tentuan të ndihmonin grupin kriminal.
Përplasjet me armë shkaktuan 17 viktima, mes tyre katër pjesëtarë të forcave të sigurisë dhe 13 të dyshuar si pjesëtarë të kartelit.
Meza Flores, 44 vjeç, ishte pjesë e listës së personave më të kërkuar nga FBI-ja amerikane. Ai akuzohet për drejtimin e një organizate të fuqishme të trafikut të drogës, e dyshuar për dërgimin në SHBA të sasive të mëdha të kokainës, heroinës, metamfetaminës dhe marijuanës.
Autoritetet meksikane konfirmuan gjithashtu se në lokalizimin e tij ndihmoi një dron mbikëqyrës amerikan, pas tre muajsh bashkëpunimi mes dy vendeve. Presidentja meksikane, Claudia Sheinbaum, sqaroi se bashkëpunimi ishte kufizuar në shkëmbimin e informacioneve dhe se forcave amerikane nuk u ishte lejuar të kryenin operacione në terren.
Kapja e “Chapo Isidro”-s konsiderohet një goditje ndaj organizatës së tij kriminale, ndërsa autoritetet amerikane kanë konfirmuar se ndaj tij ekziston edhe një kërkesë për ekstradim në SHBA.



