Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, ka përshëndetur vendimin e një gjykate që i jep “dritë të gjelbër” administratës së tij për të ndërtuar një pjesë të murit të diskutueshëm në kufirin me Meksikën.
Gjykata e Pestë e Apelit e Rrethit sapo përmbysi një vendim të gjykatës më të ulët dhe na dha të vazhdojmë ndërtimin e një prej seksioneve më të mëdha të nevojshme, Murin e Kufirit Jugor, 4 miliardë dollarë”, shkroi Trump në Twitter.
Trump njoftoi se i gjithë muri është në ndërtim e sipër ose po përgatitet të fillojë.
Reagimi i presidentit amerikan erdh disa orë pasi një gjykatë federale e apelit në Luiziana vendosi se qeveria mund të përdorë 3.6 miliardë dollarë në fonde ushtarake për të ndërtuar barriera kufitare përgjatë kufirit SHBA-Meksikë.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, tha se vendimi është një fitore për sundimin e ligjit, duke theksuar se “Jemi të përkushtuar t’i mbajmë kufijtë tanë të sigurt dhe do të përfundojmë murin”.
Muri kufitar ishte një nga premtimet më të spikatura të fushatës së presidentit Trump, mbi të cilën u zotua t’i mbajë emigrantët pa dokumente jashtë vendit. Megjithatë, asnjë zhvillim domethënës nuk është bërë për tre vite.
Emigrantët nga vendet e Amerikës Qendrore përpiqen çdo vit të kalojnë shkretëtirat dhe lumenjtë në rrugën për në SHBA, në përpjekje për t’i shpëtuar dhunës dhe varfërisë në vendet e tyre të lindjes.
Që nga ardhja në Zyrën e presidentit, Trump ka ndjekur një qasje të rreptë ndaj imigracionit, si atij legal ashtu edhe atij ilegal.
Uashingtoni po ashtu nënshkroi një marrëveshje me vendin e tretë, Guatemalën, El Salvadorin dhe Hondurasin, si pjesë e politikës së saj kundër emigracionit./abcnews.al