Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës.
Zyra e tij e shtypit bën të ditur se kryeministri është takuar me Mbretin e Jordanisë Abdullah II, me të cilin është dakordësuar për organizimin në pranverë në Shqipëri, të një takimi ndërkombëtar shumëpalësh mbi sigurinë rajonale dhe ndërveprimin kundër ekstremizmit të dhunshëm, në kuadër të iniciativës globale të Akaba-s, nisëm e Mbretit të Jordanisë.
Në kuadër të sfidave të përbashkëta kundër ekstremizmit të dhunshëm, kryeministri e ka njohur Mbretin Abdullah i dytë, me projektin e Qendrës Rajonale Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, e cila është gati për të nisur aktivitetin e saj në Shqipëri.
Po sipas zyrës së shtypit të qeverisë, kreu i qeverisë shqiptare u takua edhe me kryeministrin belg, Charles Michel, të cilit i nënvizoi vullnetin e qeverisë për të hapur negociatat për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Rama e njohu kryeministrin belg me hapat e ndërmarra në përmbushje të prioriteteve kyçe e në veçanti me ecurinë e Reformës në Drejtësi dhe Vetingun./abcnews.al