Analisti Albatros Rexhaj ka kritikuar ashpër përplasjen institucionale për pagat e gjyqtarëve, duke e cilësuar atë si një përpjekje për zgjerimin e pushtetit të magjistratëve.
Në një intervistë për “Tirana Live”, Rexhaj tha se Gjykata Kushtetuese ka ndërhyrë përtej kompetencave të saj, ndërsa theksoi se vetëm Kuvendi vendos për përdorimin e parasë publike.
Sipas tij, asnjë institucion nuk mund të vendosë vetë për rritjen e pagave të veta dhe ekzekutivi duhet të shtyjë zbatimin e vendimit. Rexhaj e konsideroi situatën një cenim të ndarjes së pushteteve dhe kritikoi diferencën mes shpejtësisë së vendimmarrjes për pagat e gjyqtarëve dhe pritjes së gjatë të qytetarëve për drejtësi.
“Është një përpjekje për të marrë pushtet, me vendime të tjera, kërkohet që të kufizohet pushteti me dy pushtetet e tjera. Kërkon që të kufizojë kompetencat e ekzekutivit dhe të vetë Kuvendit. Gjykata Kushtetuese është shumë e kujdesshme në formulimin e vet, vendos afate.
Kuvendi është i vetmi institucion që vendos për paranë publike. Është një përpjekje e sofistikuar e magjistratëve të të gjitha nivele për të vendosur veten sipër pushteteve të tjera. Nëse do të isha kreu i ekzekutivit unë do e shtyja për një datë tjerë, jo 17 shtator. Asnjë institucion nuk mund të rrisë pagat e veta. Nuk kanë ata asnjë kompetencë tjetër.
Gjërat në Shqipëri kanë kaluar në një budallallëk. Republika e Shqipërisë është një Republikë e pavarur. Kushtetuesja ka kaluar kompetencat e saj. Qytetarët presin me vite për të marrë përgjigje për çështjen e tyre, kurse gjykatësit caktojnë rrogat e tyre për një ditë”, tha Rexhaj.

